Që prej orës 17:00, vijon protesta e opozitës siç ishte paralajmëruar prej ditësh.
Flamur Noka në një prononcim për gazetarët shprehet se opozita është në të drejtën e saj dhe po përmbush misionin e saj.
Ndër të tjera ai thotë se qeveria është e tmerruar dhe për pasojë po çliron duf ndaj qytetarëve.
“Asgjë më shumë se sa po përmbushim misionin e opozitës. Banditët me uniformë, të rekrutuar nga rilindja, kërkojnë të kërcënojnë opoiztën.
Sokol Bizhga, njeriu që nxori në pritë Gjergj Mehmetin në vitin 1997 dhe u vra nga bandat, është shpërblyer për urrejtjen e tij ndaj PD dhe vjen këtu të drejtojë falangat e krimit. I bëj thirrje nipit të Enver Hoxhës dhe nipit të Spiro Kolekës, Edi Rama, hiqni falangat e krimit nga policia dhe largoni duart nga qytetarët.
Duart do t’ju djegin ju. Ky është një mesazh që u përcjell nga ky vend ku po ushtrojmë mosbindjen civile. Askush nuk e ndalon dot mosbindjen civile të opozitës. Unë e kuptoj se janë në panik, janë të tmerruar, prandaj po ndërhyjnë sepse vala e revoltës qytetare do mbërrijë në Surrel.”, u shpreh Noka.
Tirana është paralizuar që prej orës 17:00 këtë të martë prej protestës së opozitës.
Demokratët ashtu si në protestën e 29 tetorit po vijojnë me të njëjtën strategji të mosbindjes civile, me bllokim rrugësh, bllokim aksesh apo nyjesh kryesore të qarkullimit në kryeqytet.
Deputetët janë ndarë në disa grupe në pikat kyçe të Tiranës, si Bashkia, Rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”, “Rruga e Elbasanit”, “Sheshi Uillson” dhe “Pallati me Shigjeta”.
Shumë prej qytetarëve që kanë qenë duke lëvizur me mjetet e tyre kanë ngelur të bllokuar prej më shumë se një ore tashmë.
Protesta e opozitës nisi me tensione që në minutat e para, pasi policia kundërshtonte bllokimin e akseve në kryeqytet. Deputetët e opozitës nga ana tjetër kundërshtuan efektivët dhe u përplasën fizikisht me ta.
Deri më tani ka disa të shoqëruar nga policia, ndërsa një person është lënduar nga uji me presion.
Top Channel