Etiketat e ushqimeve në BE keqinformojnë e rrezikojnë shëndetin e publikut, thotë raporti i auditit (fotot)

26/11/2024 18:22

Konsumatorët evropianë janë lënë të painformuar për zgjedhjet e ushqimeve të tyre prej abuzimit dhe mungesës së legjislacionit për informacione të qarta në paketimet e ushqimeve të tyre, tha sot një raport i Gjykatës Evropiane të Audituesve, duke iu referuar etiketimeve të mangëta ose të keqinterpretuara nga kompanitë.

Raporti me datë 25 nëntor thoshte se klientët evropianë përballen me etiketime gjithnjë e më të paqarta e të vështira për t’u kuptuar, me qëllim fshehjen e informacioneve për ushqimin e tyre .

“Në vend që të sjellin qartësi, etiketat e ushqimeve shpesh sjellin më shumë konfuzion për konsumatorët, me dhjetra logo dhe skema të ndryshme, si dhe emra qëllimisht të pakuptueshëm të ingredientëve”, tha Keit Pentus-Rosimannus, drejtuesi auditimit në gjykatë.

Raporti tha se një konfuzion i tillë rrezikon shëndetin e konsumatorëve dhe mund të jetë ngatërrues në rast alergjish.

Mungesa e vlerave ushqyese në etiketë i mohon konsumatorëve një zgjedhje të informuar për atë që blejnë, shtohet më tej në raport.

Grupi jo-fitim-prurës ‘European Food Information Council’ (EUFIC), tha se obeziteti është rritur drastikisht mes fëmijëve evropianë dhe mes të rriturve, prej ushqimeve pa vlera ushqyese dhe me përbërës të dëmshëm, si sherqernat dhe drithërat e përpunuara e te modifikuara.

“Deri në vitin 2030, më shumë se gjysma e Evropës pritet të ketë obezitet dhe disa nga vendet deri në 89 përqind,” shkruan EUFIC në një artikull të tetorit 2024.

Në raportin e audituesve shkruhej se etiketat me terma të papërcaktuara si “natyrale”, “e freskët” ose “pa antibiotik,” ishin konfuze për klientët.

Ata kritikonin dhe përpjekjen e dobët te vendeve të BE për rregullimin e etiketimit në lidhje me ushqyesit e produkteve, pretendimet ‘e gjelbra’ apo origjinën.

“Legjislacioni i dobët i BE bën që klientët të mund të gënjehen” nga prodhuesit me qëllim përfitimi, si rastin e produkteve që vijnë nga jashtë BE, për të cilat kontrollet janë thuajse të pamundura.”

Dje Komisioni Evropian pranonte për rrjetin Brussels Signal se kuadri ligjor i ushqimeve dhe importeve duhet shtrënguar e përmirësuar.

“Ligji i BE kërkon që klientët të marrin informacion të qartë që i jep atyre fuqinë për të bërë zgjedhje të informuar, prandaj ai duhet të jetë korrekt dhe i bazuar në prova, e jo sugjestionues ose i pakuptueshëm”, pranonte BE, sipas rrjetit Brussels Signal.

FOTO GALERI
1/3
Mungesa e vlerave ushqyese në etiketë i mohon konsumatorëve një zgjedhje të informuar për atë që blejnë, shtohet më tej në raport.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA