Tirana dhe mbarë opinioni publik është tronditur mesditën e djeshme pas një ngjarjeje tragjike, ku një 14-vjeçar u vra me thikë dhe një tjetër u plagos nga një bashkëmoshatar i tyre.
Ngjarja ndodhi pak metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ku pas një sherri që dyshohet se kishte nisur disa ditë më parë, një 14-vjeçar, i arrestuar tashmë, ka goditur disa herë me thikë Martin Canin, plagë të cilat i morën jetën. Katër plagë ka marrë edhe një tjetër i mitur, shok me viktimën, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, në rrjetet sociale janë shpërndarë disa foto të autorit të dyshuar, i cili pozon “me krenari” pas krimit, teksa shfaqet i ulur në sediljen e pasme të një mjeti. Në foto ai tregon edhe dorën e tij të gjakosur e të fashuar, pasi është lënduar gjatë sulmit.
Po ashtu kanë qarkulluar edhe foto të thikës me përmasa të mëdha, me të cilët dyshohet se ka kryer aktin e rëndë.
Por një tjetër video shqetësuese po qarkullon në rrjetet sociale, ku dy të mitur, flasin për ngjarjen. Nga komunikimi mes tyre kuptohet që njëri prej fëmijëve është kushëriri i autorit të dyshuar të vrasjes, ndërsa fëmija tjetër thotë se njihej me të virtualisht, pasi më parë kanë qenë në një grup virtual.
Gjatë komunikimit ata shprehen se kushdo që i shan do ta bëjnë shembull, teksa jo vetëm që nuk dënojnë aktin e rëndë, por “duartrokasin” autorin e vrasjes së Martinit, vetëm 14 vjeç.
Kjo video duhet të shërbejë si një tjetër kambanë alarmi për të ndërgjegjësuar shoqërinë, prindërit, por dhe institucionet!
Duhet të shërbejë për të reaguar në kohë dhe të për diskutuar e këshilluar fëmijët, për të marrë masa, apo edhe për të kontrolluar aktivitetin e të miturve në rrjetet sociale.
*(Për arsye etike, kjo video nuk do të ripostohet në web-in e Top Channel)
Top Channel