“Putin luan bixhoz bërthamor”, Borrell akuzon presidentin rus: Nuk jemi pjesë e luftës, thjesht po mbështesim Ukrainën

19/11/2024 22:04

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, akuzoi të martën presidentin rus Vladimir Putin për një “bixhoz bërthamor” pasi ai vendosi të ulte zyrtarisht pragun për përdorimin e armëve të saj bërthamore.

Lëvizja e Putinit erdhi pas vendimit të presidentit amerikan, Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë objektivat brenda territorit rus me raketa me rreze më të gjatë të furnizuar nga Amerika, raporton AP.

Borrell ka thënë se BE-ja duhet të vazhdojë mbështetjen e saj për Ukrainën përndryshe ajo do të detyrohet të paguajë një çmim shumë më të lartë në të ardhmen.

“Ne nuk jemi pjesë e kësaj lufte, ne thjesht po mbështesim Ukrainën me aftësi ushtarake”, ka deklaruar Borrell në një konferencë pas një takimi të ministrave të Mbrojtjes të bllokut në Bruksel.

Sipas tij, në takim u tregua se ekziston ende një “shumicë e madhe” në BE e gatshme të vazhdojë të mbështesë Ukrainën. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën, ndërsa perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA