Nesër në orën 10:00, në Gjykatën e Apelit (GJKKO) do të zhvillohet seanca për ish-presidentin Ilir Meta.
Kreu i PL-së në një postim në rrjetin social Facebook, shprehet se ka dijeni të iniciativave të personave të paautorizuar nga unë apo spontane për të protestuar përpara gjykatës, ndërsa thekson se veprime të tilla janë të padobishme dhe madje të dëmshme për të.
Ndryshe nga kreu i PD-së, Sali Berisha, Meta u bën thirrje mbështetësve që të distancohen nga çdo iniciativë për grumbullime dhe protesta.
“Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë!
Siç jeni në dijeni, nesër në ora 10:00, në Gjykatën e Apelit (GJKKO) zhvillohet seanca gjyqësore me objekt revokimin e masës së paligjshme të arrestit me burg të aplikuar ndaj meje prej një muaji.
Jam në dijeni të iniciativave të personave të paautorizuar nga unë apo spontane për të protestuar përpara gjykatës.
Ju bëj me dije se veprime të tilla janë të padobishme dhe të dëmshme.
Betejën time ligjore e kam bazuar në parashtrimin e gjithë të vërtetave përpara gjykatës duke denoncuar inekzistencën e provave ndaj meje në këtë proces kryekëput politik.
Në këto kushte, çdo grumbullim apo protestë para gjykatës në ditën e gjykimit i konsideroj si shpërqëndrim të opinionit publik ndaj thelbit të çështjes, ndaj ju bëj thirrje të distancoheni nga çdo iniciativë për grumbullime dhe protesta.”, shprehet Meta.
Top Channel