Buxhetit të Bashkisë së Durrësit i mungojnë më shumë se 630 milionë lekë, ose 6,3 milion euro.
Një fakt i tillë konstatohet nga Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit që i përket vitit 2024. Institucioni më i rëndësishëm i auditimit në vend, konstaton se këto të ardhura i mungojnë llogarisë së bashkisë.
Rezulton se në 1 janar të vitit 2018 në këtë llogari ka pasur 7,3 milion euro, brenda pak muajsh kjo llogari është pakësuar me 1milion euro dhe në fund të vitit 2018 llogaria pothuajse është zbrazur. Në të kanë mbetur gati 1 milion euro. KLSH thotë se për pakësimin e kësaj llogarie, nuk është marrë asnjë masë nga pasuesja e Vangjush Dakos, Emirjana Sako e cila e mori drejtimin e bashkisë në vitin 2020. Brenda një viti nga kjo llogari u zhdukën 6,3 milion euro nga taksat dhe tarifat vendore, por Bashkia e Durrësit nuk ka administruar asnjë vendim, shkresë apo dokumentacion për vlerën e pakësuar, thekson KLSH në raportin e këtij viti.
Bashkisë së Durrësit të drejtuar nga Sako i kërkohet akoma edhe sot të bëjë saktësimin e vlerës të kërkesave për arkëtim mbi debitorët për të gjitha subjektet tatimpagues, duke përllogaritur detyrimet tatimore bazuar në paketën fiskale të miratuar në vite dhe nëse dalin diferenca të planifikohen për t’u arkëtuar dhe identifikuar debinë aktuale.
Po ashtu përgjatë vitit 2021 bashkia e drejtuar nga Emirjana Sako rezulton të ketë 1,5 milion euro detyrime të papaguara, ndërsa në fund të vitit 2022 këto detyrime janë 1,1 milion euro.
KLSH konstaton se bashkia e Durrësit ka realizuar vetëm 84%, të buxhetit. Ndonëse qytetarët presin investime, 56 projekte, nuk janë realizuar fare për shkak se nuk janë kryer procedurat e prokurimeve. Po ashtu janë 41 projekte të tjera që janë financuar pjesërisht duke mbetur të parealizuara.
Top Channel