Kryebashkiakja Sako i premtoi apartament të ri pas tërmetit, qytetari nga Durrësi prej 5 vitesh me letra nëpër duar: Na e premtoi kur u shemb shtëpia, tani s’na jep asnjë zgjidhje

17/11/2024 12:30

Pesë vjet pas tërmetit tragjik, familja e Sakip Kotes në Durrës nuk ka ende një strehë.

Shtëpia e tyre i shpëtoi tërmetit por u prish nga shembjet me shpërthim të kontrolluar të pallateve të dëmtuara në lagjen nr. 17 të qytetit bregdetar. Pothuajse çdo ditë Sakipi vjen në dyert e bashkisë për të kërkuar banesën që iu premtua nga kryetarja e bashkisë, pas shembjes.

Kam 5 vite që vij këtu. Interesohem, kam kontaktuar, kam takuar kryetrarët disa herë. Problemi është që nuk po na japin zgjidhje. Po bëjmë vite që jetojmë rrugëve”, u shpreh Sakip Kote.

Baba i tre fëmijëve dhe i vetmi që punon e siguron të ardhura për familjen e tij me 6 anëtarë, ai shprehet i dëshpëruar që nuk po merr një zgjidhje përfundimtare. Në vendin ku ndodhej shtëpia e tij përdhese tani ngrihet një kompleks pallatesh nga fondet e rindërtimit. Shumë familjeve u janë dorëzuar çelësat, por atyre jo. Në të njëjtat kushte janë dhe disa familje të tjera.

Unë të rri me qira, dhe këtu ku kam pasur shtëpinë ndërtohet pallati dhe të mos më japë shtëpi mua… ashtu siç u kanë dhënë të tjerëve, të më japin dhe mua, u shpreh Mereme Kote, bashkëshortja e Sakip Kotes.

Me letrat në dorë që dëshmojnë se e kanë blerë shtëpinë para më shumë se dy dekadash dhe kanë shlyer rregullisht detyrimet, ai bashkë me gruan, fëmijët dhe nënën shohin me trishtim e shpresë pallatin ku iu premtua se do të merrnin apartamentin e tyre.

“Atje ku e keni do ua japim. Atyre të tjerëve u dhanë. Madje edhe ata që skanë pasur shtëpi këtu, kanë marrë”, u shpreh nëna e Sakip Kotes, Xhevahire Kote.

Fillimisht, kryetarja e bashkisë i premtoi familjes se do të merrte një apartment të ri me të njëjtën sipërfaqe të shtëpisë që i prishën, po procedurat dhe premtimet kanë ndryshuar gjatë rrugës. Jo vetëm familja Kote, por edhe disa të tjera që i kishin blerë shtëpitë ishin në proces legalizimi, kur ato u shembën. E ndërsa pallati ndërtohej me shpejtësi dhe zemra e tyre gëzonte, në vitin 2022, Kadastra me një shkresë i përjashton nga legalizimi duke u cenuar arbitrarisht të drejtën për strehim.

Pa bonus qiraje, ata kanë lëvizur së fundmi, nga banesa në banesë, duke u përballur me vështirësi ekonomike dhe pasiguri për të ardhmen e tyre, po me shpresën se këtë fundviti do të munden t’i gëzohen shtëpisë së tyre.

“Unë dua që para Vitit të Ri të kem shtëpinë time te pallati që është ndërtuar”, shprehet djali 11-vjeçar, Arlind Kote.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA