Pak metra nga vendi ku protokolli shtetëror zhvillonte ceremoninë për 80 vjetorin e çlirimit të Tiranës, te rruga George W. Bush para Parlamentit, opozita përkujtoi vrasjes së 39 intelektualëve të kryeqytetit.
Duke folur nga shtëpia e tij, ku ndodhet në arrest shtëpie, kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se “më 17 nëntor banda terroriste e Enver Hoxhës, e shndërruar totalisht në vegël të Beogradit, do të vendoste në Tiranë pushtetin e saj, pasi kishte shndërruar luftën e shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar, në një luftë vëllavrasëse antikombëtare”.
Lideri i opozitës theksoi se sot vendi drejtohet nga një diktaturë e re, ku të gjitha pushtetet janë në dorën e një njeriu.
“Në të cilën ekonomia kontrollohet prej tij. Në të cilën burgosen pak muaj para zgjedhjeve, drejtuesit e partive opozitare. Për ti thënë popullit opozitar se nuk ke asnjë shans, por largohu nga Shqipëria se këtu jemi ne”, u shpreh Berisha.
Për kreun e Partisë Demokratike, fitorja e Donald Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA duhet të jetë një moment frymëzimi edhe për popullin opozitar në Shqipëri.
“Fitorja e presidentit Donald Trump është një arritje për njerëzit e lirë, një mrekulli për njerëzit e lirë në mbarë botën. Kjo fitore duhet të frymëzojë çdo shqiptar, me guxim dhe përkushtim, të angazhohet në këtë betejë shpëtimtare, për Shqipërinë, për shqiptarët”.
Top Channel