Pasi u detyruan një herë të largoheshin përkohësisht majin e 2023-shit, banorëve e fshatit malor Brienz në Zvicër u duhet të bëjnë sërish gati valixhet dhe të përgatiten për mundësinë që një ortek i madh gurësh dhe zhavori t’ua shkatërrojë shtëpitë.
Rreziku është real: 1,2 milionë metër kub mbetje shkëmbore mund të rrëshqasin së shpejti drejt luginës dhe ta varrosin fshatin e ndodhur në Alpet zvicerane. Aktualisht zhavori dhe gurët rrëshqasin çdo ditë rreth 25 centimetra.
Toka nën fshat rrëshqet në luginë me 2.40 metra në vit. “Janë 20 centimetra në muaj”, thotë një banor i zonës. Dëmi, që shkaktohet, është vazhdimisht në rritje: “Dyert që nuk mbyllen më, kanalizimet që nuk funksionojnë më, muret, tavanet, dyshemetë – ky është realiteti im”, shton ai. Brienz ndodhet afër Davosit, ku çdo vit zhvillohet Forumi Ekonomik Botëror, në një lartësi prej rreth 1150 metrash.
Mali mbi fshat ka lëvizur prej kohësh – të çarat në shtëpira dhe animi i kullës së kishës janë tregues të qartë të këtij fenomeni. Sipas një gazete zvicerane që shkruan mbi situatën aktuale në Brienz, ndryshimet klimatike kanë rritur ndjeshëm erozionin.
Sipas ekspertëve, Zvicra vetë është në lëvizje, me proceset në sipërfaqen e tokës që ndryshojnë, veçanërisht në lartësi të mëdha, teksa po vihet re një shkrirje e shtresës së permafrostit.
Top Channel