Në mesin e frikës së shpërthimit të një lufte në shkallë të plotë në Lindjen e Mesme, dy rivalë të përbetuar, Irani dhe Arabia Saudite janë nisur të ulin ngadalë tensionet mes tyre.
Dy vendet që drejtojnë degë konkurruese të Islamit, e që janë po ashtu në anë të kundërta në konfliktet në Siri dhe Jemen, kanë ndërmarrë hapa të mëdhenj për rritjen e bashkëpunimit mes tyre, e ky proces, duket është intensifikuar sidomos pas fitores së Donald Trumpir në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA.
Trumpi në më shumë se një rast e ka bërë të qartë se nuk i do konfliktet, e është zotuar të sjellë paqe në rajon. Ekspertë si Talal Mohammad, hulumtues në Institutin Mbretëror për Shërbimeve të Bashkuara me seli në Britani, tregohen megjithatë të kujdesshëm të mos e cilësojnë këtë si një ngrohje të raporteve, por më shumë si një tkurrje të kujdesshme të tensioneve.
Shenjat e para të një fenomeni të tillë u shfaqën marsin e 2023-shit kur Irani dhe Arabia Saudite rivendosën raportet pas më shumë se shtatë vjetësh, në një ujdi të ndërmjetësuar nga Kina. Shtysën reale për afrim megjithatë e dha ofensiva e Izraelit në Gaza tetorin e vitit të kaluar, pak pas sulmit brutal të Hamasit në shtetin hebre.
Arabia Saudite duket se është e shqetësuar se këto tensione përshkallëzuese mes Izraelit dhe Iranit mund të dalin nga kontrolli dhe të çojnë në një luftë të gjerë rajonale që mund të prekë interesat e saj, por pavarësisht afrimit më Republikën Islamike të dominuar nga shiitët, ata janë larg të qenit miq me mbeten rivalë në garën për ndikim rajonal.
Top Channel