Lideri i zëshëm i lëvizjes së të drejtave civile dhe emancipimit të njerëzve me ngjyrë u ekzekutua në New York në 1965.
Tashmë familjarët e Malcolm X, kanë ngritur një padi për $100 millionë dëmshpërblim kundër qeverisë së SHBA.
Ilyasah Shabazz, bija e aktivistit të njohur anti-luftë Malcolm X, dhe avokatët e familjes thonë se kanë prova se eliminimi i aktivistit është bërë nga policia e New York në bashkëpunim FBI.
“Ne po e bëjmë këtë për nënën tonë, e cila ishte aty,” thotë Ilyasah Shabazz për nenen e saj Betty Shabazz, e cila ka vdekur në 1997.
Duke folur nga vendi i ekzekutimit të babait të saj, ajo shtonte: “Nëna ime ishte shtatzënë kur erdhi këtu të dëgjonte të shoqin që fliste. Ajo e admironte burrin e saj por dëshmoi vrasjen e tij brutale nga dora e ekzekutuesve…”
Malcolm X u ekzekutua nga tre vrasës më 21 shkurt 1965, në moshën 39 vjeçare para gruas dhe bijave të tij, pasi kishte shprehur hapur opinionet e tij për distancim të qytetarëve me ngjyrë nga sistemi qeveritar amerikan dhe kundër luftës së Vietnamit, mes të tjerave.
Avokati i të drejtave civile Ben Crump, i cili përfaqëson familjen, thotë se zyrtarët qeveritarë kanë mbuluar për dekada të tëra vrasjen duke mos i dhënë drejtësi familjarëve të Malcolm X.
“Ne besojmë se ata të gjithë kanë bashkëpunuar për të vrarë Malcolm X, një nga zërat më të mëdhenj të mendimit të lirë në shekullin e 20-të,” tha Crump.
Policia e New York ka refuzuar të komentojë mbi çështjen, ndërsa avokatët e familjes thonë se ditën e ekzekutimit në sallë kishte nëntë informatorë të FBI dhe një nga vrasësit ka marrë favore nga qeveria pas ekzekutimit.
Sipas Washington Post, agjenci të FBI mbikëqyrnin prej vitesh Malcolm X duke e përfshirë në listën e “kërcënimeve kundër interesave amerikane”, siç kishin bërë më parë me liderin e të drejtave civile Martin Luther King Jr. dhe zyrtarin e pavarur te Illinois, Fred Hampton, të dy të ekzekutuar.
Për vrasjen e Malcolm X u dënuan fillimisht Muhammad Abdul Aziz e Khalil Islam por më vonë u liruan nga akuzat dhe morën dëmshpërblim për dënimin, shkruan rrjeti The Guardian.
Top Channel