SPAK goditi një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine, e trafikuar dhe përpunuar në Shqipëri me qëllim shitjen në tregun europian, ku ranë në pranga 7 shqiptarë dhe 3 të huaj.
Rrjeti operonte në mënyrë të sinkronizuar, thotë SPAK, me çdo hallkë të përcaktuar në mënyrë të detajuar.
Ekspertët e huaj përqendroheshin në proceset teknike të përpunimit, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre për të ngritur laboratorë të përpunimit të drogës.
Ndërkohë, financuesit shqiptarë siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë.
Transportuesit dhe përpunuesit lokalë luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurt të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara.
Në total SPAK deklaroi se sekuestroi 48 tonë në rreth 850 lëkurë përmbajtje brenda të cilës dyshohet se ishte shkrirë kokaina. Për ta veçuar atë nga lëkurë e gjetheve ishin sjellë në Shqipëri tre shtetasit e huaj.
Po ashtu u bllokua dhe gati 6 kilogramë kokainë si dhe përzierës në formën e solucioneve që do të shërbenin për procesin. Grupi me lidhje të mëparshme me disa protagonist të narkotrafikut të ekspozuar në SKY ECc, sipas SPAK, ja doli mbanë të instalojë një laborator në Qerekë por edhe ambiente ndihmëse në Tiranë.
SPAK e konsideron nivelin e bashkëpunimit me trafikantët e huaj që do të kryenin ekstradimin e kokainës të një niveli të lartë organizimi që do të bëhej përmes një teknologjie të avancuar.
Ndërkohë që vendosja e laboratorëve në afërsi të aeroportit ishte kryer sipas SPAK me qëllim transportin e shpejtë të kokainës
Top Channel