Kryetari i Grupit Parlamentare te PD-se, Gazment Bardhi, kritikoi punën e e Komisionerit të Prokurimit Publik, duke theksuar se ka lejuar krijmin e skemave “5D” si në Bashkinë e Tiranës edhe në bashkitë e tjera të vendit.
Bardhi gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve u ndal tek Bashkia e Tropojes, duke theksuar se Rexh Biberaj, i ka dhënë rreth 5 milion euro tendera kushëririt të tij. Ai i kërkoj SPAK të veprojë.
Duke përmendur konkretisht disa procedura prokurimi, Bardhi theksoi se: “Kryetari i Bashkisë Tropojë i jep tenderat djalit të xhaxhait. Janë dy kompani ne emër të kushëririt të tij dhe vetëm në 3 vite i ka dhënë më shume se 4.7 milion euro. Kontrata për ndërtimin e tregut të bagëtive, dhe sot nuk ekziston ai treg. Po ashtu ka përfituar edhe 3 procedura të tjera tërësisht korruptive dhe në konflikt interesi. Tre janë ankimuar tek ju dhe ju keni shpallur fitues djalin e xhaxhait te tij edhe pse kishte ofertën më të lartë. Ka edhe kontratë tjetër për ndërtimin e rrugëve. Gjashtë konkurentë në garë, pesë të skalifikuar në kundërshtim me ligjin dhe fitues shpallet serish djali i xhaxhait”.
Bardhi denoncoi mosveprimin e Këshillit të Ministrave për të shkarkuar nga detyra kryetarin e Bashkisë Tropojë, që është nën akuzë nga SPAK për 3 vepra penale “Shpërdorimit të detyrës”, “Prerjes së paligjshme të pyjeve” dhe “Shkatërrimit të pronës” duke shkaktuar një dëm të madh financiar prej 2.8 milion euro. “Ligji për vetqeverisjen vendore detyron Këshillin e Ministrave të shkarkojë nga detyra Rexh Biberajn, sipas nenit 62/1/a të ligjit. Mosveprimi në këtë rast është shkelje flagrante e ligjit”- u shpreh Bardhi.
Nisur nga fakti që këto tendera korruptivë janë kallëzuar prej kohësh në SPAK, Bardhi i bëri thirrje prokurorisë së posaçme që të veprojë pa vonesa. “SPAK duhet të mbrojë interesin publik dhe të veprojë për këto tendera korruptivë dhe në kushtet e konfliktit të interesit, që kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar për shtetin”, theksoi Bardhi.
Top Channel