Scholz bisedë telefonike me Putin, i kërkon presidentit rus të tërheqë trupat nga Ukraina

15/11/2024 17:26

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e dënoi luftën në Ukrainë gjatë një bisedime telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të premten, njoftoi Qeveria gjermane.

Kjo ishte biseda e parë telefonike mes tyre në dy vjetët e fundit.

Zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, tha se Scholzi e dënoi “luftën agresore të Rusisë” kundër Ukrainës, gjatë bisedës së tyre telefonike, dhe i kërkoi Putinit t’i japë fund asaj duke i tërhequr trupat ruse që e pushtuan vendin fqinj në shkurt 2022.

“Kancelari i bëri thirrje Rusisë të tregojë gatishmëri për të negociuar me Ukrainën, me qëllim të arritjes së një paqeje të drejt dhe afatgjate. Ai e theksoi vendosmërinë e palëkundur të Gjermanisë për ta mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus sa të jetë e nevojshme”, tha Hebesreit.
Scholz kishte biseduar paraprakisht me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe pastaj i kishte telefonuar Putinit, tregoi Hebesreit.

Lideri gjerman i dënoi sulmet ajrore ruse ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë dhe paralajmëroi se dërgimi i trupave koreanoveriore në Rusi për të luftuar në luftë kundër Ukrainës, shënon përshkallëzim serioz të konfliktit.

Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Ukraina thonë se Koreja e Veriut i ka dërguar mijëra ushtarë në Rusi për ta mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës.

Qeveria gjermane nuk tregoi se sa kohë zgjati biseda telefonike me Putinin, por agjencia gjermane e lajmeve, DPA, tha se zgjati një orë. /rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA