Në korrik qeni i Gabrielit i quajtur Togo u helmua në rrethana të paqarta në Durrës.
Gabrieli nuk e di akoma se kush është përgjegjës për këtë akt të shëmtuar dhe të paligjshëm, por ka kuptuar se brenda një jave, në këtë periudhë, në Durrës u mbytën me helm edhe mjaft qen rrugësh.
“U mërzitëm shumë,” shprehet Gabrieli. “E kuptuam që kanë pasur si qëllim helmimin e kafshëve të rrugës, dhe dozat e mëdha nuk i kursyen edhe qentë që mbahen nga familjet”, shtoi ai.
Fushata e helmimit të qenëve duket se filloi pas një sezoni veror me probleme, kur shumë kalimtarë dhe turistë kërkuan ndihmë mjekësore pas sulmeve nga qen të braktisur.
“Një grua të moshuar e kemi dërguar në spital dy herë, mjaft të tjerë nuk kanë shpëtuar edhe pse kanë mbajtur shkopinj në duar”, tha Gani Dule, pensionist dhe banor në lagjen Nr1, ndërsa pretendoi se ka pasur 20 raste të tilla.
Fushata e helmimit shfaqet në Durrës sa herë vihet re një rritje e numrit të kafshëve të braktisura në rrugë – një veprim i përsëritur, pavarësisht se është i paligjshëm.
Por aktivistë për mbrojtjen e kafshëve dhe vullnetarë që kujdesen për to në qytetin e bregdetar shprehen se popullata del jashtë kontrollit për shkak të mungesës së vëmendjes nga autoritetet dhe mungesës së sterilizimit.
Në përgjigje të shqetësime të përsëritura, bashkia e Durrësit ka premtuar do të investojë për të hapur një qendër kujdesi për qentë e rrugës.
Situatë negative
Organizatat ndërkombëtare nuk e shohin situatën pozitive në vendin tonë. Presidenti i Federatës Kinologjike të Shqipërisë, Arturo Verzeroli tha se është e domosdoshme përgatitja e një regjistri për kafshët e rrugës.
“Sipas nesh, numri i përgjithshëm i qenve të rrugës arrin në rreth 55 mijë gjithsej”, theksoi Verzeroli, sipas të cilit bashkëpunimi i pushtetit vendor me federatat përkatëse bëhet i domosdoshëm.
Një komision i krijuar në Ministrinë e Bujqësisë për këtë qëllim nuk ka funksionuar në shërbim të qenve të racës dhe as atyre të rrugës.
Gjatë 10-vjeçarit të kaluar kujdesi për qentë e rrugës kryhej nga një qendër e ngritur në periferi të Durrësit.
Bashkë me “Koliben e Zemrës”, që u ngrit pak muaj më parë, të dy qendrat trajtojnë rreth 140 kafshë rruge gjithsej, por e gjitha kjo mbi baza vullnetare.
Ndërkohë bashkia e Durrësit deri më sot nuk është përfshirë në menaxhimin e situatës, përveç organizimit që prej fillimit të viteve 2000 të fushatave të gjuetisë.
Por së fundmi e vënë në lëvizje nga vullnetarë dhe aktivistë, bashkia e Durrësit ka njoftuar se do të krijojë për qentë e rrugës një strehë. Struktura është planifikuar në fshatin Katund i Ri, rreth 15 kilometra larg qytetit.
Streha me sipërfaqe prej afro 1.660 metra katrorë dhe investim prej rreth 16,6 milionë lekë pritet të krijojë një raport të ri mes vullnetarëve që kujdesen për kafshët e rrugës dhe pushtetit vendor.
Sipas burimeve zyrtare të bashkisë së Durrësit, pas procedurave të tenderimit, qendra që do të jetë gati pas gjashtë muajsh dhe aty do të trajtojë kafshët, sipas sëmundjeve që ato kanë si dhe do t’i strehojë ato për një periudhë të caktuar.
Vullnetarët presin më shumë mbështetje nga Bashkia, dhe ngritja e qendrës së re do të të krijojë kushte për qenushët e rrugës.
“Do të ishte më mirë, që një pjesë e fondit (për qendrën) të shpenzohej për studimin e situatës së kafshëve në terren”, tha Valbona Omeri, e cila së bashku me bashkëshortin kanë hapur kohët e fundit Qendrën “Kolibja e zemrës”.
Kujdesi vullnetar në vështirësi
Laura Zanella në parukerinë e saj për katërputroshët
Valbona dhe bashkëshorti i saj mësues, Armandi, kujdesen të vetëm për kafshët, për pagesat e faturave të energjisë dhe të ujit në strehën e tyre, e cila ndodhet pikërisht ku ndahen bashkia e Durrësit dhe ajo e Golemit.
Kur i vizituam Armandi po merrej me rrethimin dhe kolibet e vogla, ndërsa Valbona e veshur me kominoshe ndodhet gjithnjë mes qenve, që i thërret në emër të gjithë, ndërsa i ushqen.
“Kemi 60 qen dhe këlyshë, shumica e të cilëve janë braktisur në rrugë”, tha për BIRN Valbona. Mbijetesa e tyre varet nga ndihmat që sigurohen prej njerëzve që i duan kafshët dhe që sjellin ushqim, apo sigurojnë mbështetjen financiare për sterilizimet.
Adoptimi në distancë i një këlyshi apo qeni është një mënyrë tjetër për të siguruar ushqimin e nevojshëm.
Ndërkaq, është tejet e vështirë të kesh mbështetjen e vullnetarëve.
“Edhe këtu streha e kafshëve që i sjellin nga rruga, synon adoptimet e këlyshëve jashtë vendi, në Itali më së shumti, por edhe në Zvicër, Austri, Hollandë,” shpjegoi Valbona, ndërsa shtoi se në Durrës “askush në qytet nuk merr në familje kafshë të gjetura në rrugë”.
Laura Zanella ka hapur që prej tre vjetësh një parukeri për kujdesin ndaj kafshëve shtëpiake në Durrës. E ardhur nga Rimini ajo shërben për krehjen dhe larjen e 5 deri në 10 qenve në ditë.
“Më bën përshtypje që në Durrës të rinjtë dhe familjarët mbajnë vetëm qen race,” tha ajo. “Ende nuk është krijuar kultura për adoptimin dhe kujdesin ndaj kafshëve të rrugës,” përfundoi Zanella. /reporter.al
Top Channel