Janë sanksionet e Bashkimit Europian kundër Rusisë ato që po i mbajnë të larta çmimet e energjisë dhe po frenojnë konkurencën ekonomike të bllokut, deklaroi kryeministri hungarez Victor Orban, i cili mendon se e ka zgjidhjen për këtë situatë.
Ajo sipas tij, është rishqyrtimi i masave të ashpra të BE-së ndaj Moskës, me pretendimin se nga kjo do të përfitonin të gjithë.
“Çmimet e energjisë duhet të ulen patjetër. Kjo nënkupton se sanksionet duhet të rishqyrtohen sepse me politikën aktuale të sanksioneve, ulja e çmimeve të energjisë, nuk mund të ndodhë”-u shpreh Orban.
Udhëheqësit e BE-së nënshkruan një deklaratë për konkurrencën gjatë samitit të tyre joformal të mbajtur javën e kaluar. Orban pretendon se kompanitë amerikane japin një të katërtën e shumës që paguajnë shtetet europiane për gazin dhe enetgjinë, një disavantazh ky i cili sipas tij, nuk mund të kapërcehet me mënyra të tjera.
Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, kreu i ekzekutivit hungarez ka qenë kritik i zëshëm i sanksioneve të BE-së kundër Moskës dhe të ndihmës financiare dhe ushtarake që blloku ka dhënë për Ukrainën.
Në kohën kur shtetet në perëndim të Evropës kanë bërë përpjekje serioze për të hequr dorë nga energjia ruse, Hungaria vazhdon të marrë 80-85 për qind të gazit nga Rusia dhe 80 për qind e furnizimeve të saj të naftës së papërpunuar e siguron po ashtu nga Moska.
Top Channel