Administrata, Trump shpërblen besnikët! Lavdërime për Rubion, dyshime për të tjerë

15/11/2024 14:44

Me emërimet e tij, Presidenti i zgjedhur i SHBA-së duket qartë se po përzgjedh mbështetësit dhe besnikët e vet më të fortë për postet kryesore.

Lëvizjet e tij po shihen me vëmendje të madh, si sinjal i asaj që do të jetë politika e brendshme dhe e jashtme e Donald Trumpit. Këtë javë, Trump ka caktuar njerëz të cilët do të drejtojnë agjencitë që trajtojnë çështje të sigurisë kombëtare, që nga sekretari i Mbrojtjes tek ambasadori në Izrael.

Megjithatë, polemikat nuk vonuan të shfaqen. Analistët thonë se disa prej emrave si senatori Marco Rubio, i cili pritet të mbajë pozitën e Sekretarit të Shtetit në administratën e re – janë ekspertë me përvojë, ndërsa të tjerëve sipas tyre, duket se u mungon ekspertiza, apo mbështetja që do t’u duhej për të kryer detyrën. Rubio konsiderohet se e njeh mjaft mirë politikën e jashtme dhe do të dijë ta pasqyrojë axhendën e administratës së re.

“Mendoj se senatori Rubio, pasqyron në masë të madhe pikëpamjet e gjera republikane për rëndësinë e rolit të Shteve te Bashkuara në botë. Një ndjenjë disi dypartiake mes shumë anëtarëve të Kongresit mbi rëndësinë e mbështetjes së partnerëve dhe aleatëve”, thotë Jonathan Lord i programit për Sigurinë e Lindjes së Mesme, në qendrën për një Qasje të re ndaj Sigurisë në Amerikë.

Ndërkohë shihet me mëdyshje caktimi i Pete Hegseth, gazetar i rrjetit televiziv ‘Fox Neës’ e veteran lufte, në pozitën e sekretarit të Mbrojtjes, si njeri me pak përvojë në menaxhim ndërsa do të jetë në krye të agjencie që ka 1.3 milionë anëtarëve të shërbimit aktiv dhe rreth 1 milion civilë që punojnë për ushtrinë.

Shqetësim ka ngjallur edhe përzgjedhja e ish-ligjvënëses demokrate Tulsi Gabbard, për postin e drejtoreshës së Zbulimit Kombëtar. Gabbard njihet për kundërshtimin e vazhdueshëm të ndërhyrjes amerikane në Siri dhe se është takuar fshehurazi me presidentin sirian Bashar al-Assad në janar 2017, i cili është akuzuar për abuzime të mëdha me të drejtat e njeriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA