Prokurorët francezë kërkuan të mërkurën që liderja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen të dënohet me 5 vite burg dhe të ndalohej nga postet publike gjithashtu për pesë vjet për akuzat se ajo përvetësoi fondet e Parlamentit Evropian.
Prokuroria e bëri kërkesën në një gjykatë në Paris, ku Le Pen dhe disa të pandehur të tjerë nga partia e saj “Tubimi kombëtar” janë në gjyq të akuzuar për krijimin e vendeve të punës të rreme në parlamentin e BE. Ajo i mohoi akuzat, duke i cilësuar pretendimet e prokurorëve ekstremisht të ashpra dhe jo proporcionale.
Nëse gjykata miraton kërkesën e prokurorisë, atëherë 56-vjeçarja përjashtohet nga kandidimi në zgjedhjet presidenciale të Francës në vitin 2027.
Prokuroria kërkoi që ndalimi të hyjë në fuqi menjëherë, edhe nëse ekipi mbrojtës apelon.
Tubimi Kombëtar, ashtu si edhe shumë parti të tjera të së djathtës ekstreme në Evropë, po fiton terren pas një performance mbresëlënëse në zgjedhjet evropiane në qershor.
Le Pen e denoncoi menjëherë kërkesën e prokurorëve duke e quajtur atë një “pabesi” dhe duke i akuzuar se po përpiqeshin të “shkatërronin partinë”.
“Nuk kam absolutisht asnjë ndjenjë që kam kryer parregullsinë më të vogël, apo veprimin më të vogël të paligjshëm”, tha ajo në gjykatë.
Top Channel