Mësues të shqipes në diasporë! Çfarë përfshin programi mes Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Arsimit

14/11/2024 15:17

50 mësuesit e gjuhës shqipe për fëmijët e shqiptarëve në Greqi nuk do të jenë të parët dhe të vetmit.

Ky program do të shtrihet në të gjithë diasporën, duke synuar ruajtjen e gjuhës dhe kulturës aty ku kanë emigruar shqiptarët. Ndaj Ministria e Arsimit me Ministrinë e Jashtme kanë përgatitur një udhëzues të përbashkët ku përcaktojnë procedurën e përzgjedhjes së arsimtarëve dhe monitorimin e mësimdhënies në diasporë.

Teksa do të jenë këta dy ministra që do të vendosin se cilat shtete do të përfshihen veç Greqisë. Në këtë proces do të luajnë rol të rëndësishëm edhe ambasadat, me mbikëqyrjen e kërkesave në faqet zyrtare të tyre, por mbi të gjitha edhe për të lidhur kontratat individuale me arsimtarët në diasporë. Thirrja për punësimin e tyre do të jetë e përvitshme dhe do të hapet nga Ministria e punëve të jashtme dhe diasporës.

Ndërsa Ministria e arsimit do të krijojë regjistrin shtetëror të mësuesve të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë, ku kriter për përfshirjen e arsimtarëve do të jetë një diplomë në fushën e mësuesisë në të paktën një nga këto degë: gjuhë shqipe dhe letërsi, parashkollor, arsim fillor, histori, gjeografi, etnologji, muzikë apo arte të kulturës shqiptare; si dhe të jenë të licensuar si mësues e të pranuar sipas ligjeve në fuqi të Shqipërisë por edhe vendeve respektive ku do të punojnë.

Me dorëzimin e dokumentacioneve e përfundimit të afateve të aplikimeve, do të jetë misioni diplomatik që do të dorëzojë të dhënat pranë Agjencisë së arsimit parauniversitar që nëpërmjet një komisioni do të bëjë përzgjedhjen e fituesve; nga ku do të hartohet edhe lista përfundimtare që i përcillet Ministrisë së arsimit dhe asaj të jashtme. Mësimi do të zhvillohet sipas kurrikulës së mësimit plotësues të gjuhës shqipe së miratuar nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Por si do të llogaritet pagesa e gjuhëtarit në diasporë?

Referenca pritet të jetë paga e punonjësit administrativ të ambasadës si dhe baza e numrit të orëve mësimore mujore. Ky program do të jetë në vëzhgim, ku nuk do vlerësohen vetëm ditari i punës e regjistrat por edhe do të realizohen pyetësorë online për nxënësit e prindërit mbi mënyrën e zhvillimit të mësimit në diasporë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA