“Janë të përfshirë në aktivitete qeveritare dhe politike”, FBI zbulon një përpjekje të gjerë për spiunazh nga hakerat kinezë

14/11/2024 20:10

Një hetim federal mbi përpjekjet e qeverisë kineze për të depërtuar në rrjetet amerikane të telekomunikacionit ka zbuluar një fushatë “të gjerë e domethënëse” spiunazhi kibernetik, që synon vjedhjen e informacionit nga shtetas amerikanë, që punojnë për qeverinë apo që janë në politikë, njoftoi të mërkurën FBI-ja.

Hakerët e lidhur me Pekinin kanë komprometuar rrjetet e shumë kompanive të telekomunikacionit me synimin për të marrë të dhënat telefonike të klientëve, e fituar qasje tek komunikimet private tek “një numër i kufizuar individësh”, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar nga FBI-ja dhe agjencia federale mbi Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën.

FBI-ja nuk identifikoi asnjë prej individëve që ishin në shënjestër të hakerave kinezë, por tha se shumica e tyre “janë të përfshirë kryesisht në aktivitete qeveritare apo politike”.

Zyrtarët e FBI-së sugjeruan gjithashtu se hakerët mund të jenë përpjekur të komprometojnë programe si ato që i nënshtrohen Aktit të Mbikëqyrjes së Zbulimit të Huaj. Ky i fundit u jep agjencive amerikane të spiunazhit kompetenca gjithëpërfshirëse për të vëzhguar komunikimet e individëve të dyshuar si agjentë të një fuqie të huaj.

Paralajmërimi vjen pas disa rasteve të hakerimit që kanë përfshirë figura të njohura e që autoritetet amerikane i kanë lidhur me Kinën. Zyrtarët thonë se ato janë pjesë e një përpjekje për të vjedhur informacion teknologjik dhe qeveritar, duke synuar gjithashtu infrastrukturën jetike si rrjetin elektrik.

Në shtator FBI-ja njoftoi se kishte bllokuar një operacion të madh hakerimi kinez të njohur si ‘Flax Typhoon’, që kishte të bënte me instalimin e një programi kompiuterik me qëllim dashakeq, në më shumë se 200,000 pajisje kompiuterike, përfshirë kamera dhe videoregjistrues.

Pajisjet ishin përdorur më pas për të krijuar një rrjet masiv kompjuterësh të infektuar, që mund të përdoreshin për të kryer vepra të tjera penale kibernetike.

Muajin e kaluar, zyrtarët thanë se hakera të lidhur me Kinën kishin vënë në shënjestër telefonin e zotit Trump, në atë kohë kandidat për president si dhe të senatorit JD Vance, kandidat për nënpresident, krahas telefonave të njerëzve të lidhur me kandidaten demokrate, nënpresidenten Kamala Harris.

Autoritetet nuk dhanë detaje se si ose nëse rastet e publikuara të mërkurën janë të lidhura me fushatat e mëparshme të hakerimit.

Në deklaratën e tyre të mërkurën, FBI-ja dhe agjencia federale mbi Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën, thanë se zyrtarët po punojnë me industrinë e telekomunikacionit dhe me ata që kanë rënë viktima të hakerimit, për efikasitet ndaj përpjekjeve të vazhdueshme për spiunazh kibernetik.

Kina ka hedhur poshtë akuzat e zyrtarëve amerikanë për përfshirje në spiunazh kibernetik. Ambasada kineze në Uashington nuk i është përgjigjur ende një kërkesë për koment të bërë të mërkurën, mbi këtë çështje. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA