Izraeli po vijon sulmet e njëpasnjëshme, ku këtë herë në shënjestër ka pasur jo vetëm Gazën dhe Libanin, por edhe Damaskun në Siri.
Gaza është tronditur nga shpërthimet në një shkollë ku ishin të strehuar civilët. Gjatë orëve të fundit kanë humbur jetën 24 palestinezë, si pasojë e sulmeve të ushtrisë izraelite.
As Libani nuk gjeti qetësi këtë të enjte, pasi viktima të sulmeve mbetën 21 persona, ndërsa 73 të tjerë janë plagosur.
Ekipet e shpëtimit dhe banorët kërkojnë për të mbijetuar nën rrënoja pas një sulmi izraelit në qytetin kryesor lindor të Baalbek që vrau të paktën tre persona.
Sulmet e reja izraelite kanë vijuar në periferitë jugore të Bejrutit. Ushtria izraelite tha se goditi rreth 30 objektiva në periferitë jugore të Bejrutit, një bastion i grupit militant Hezbollah të mbështetur nga Irani, gjatë 48 orëve të fundit.
Po ashtu nën objektivat e izraelit ishte edhe Damasku në Siri, ku 15 persona kanë humbur jetën nga sulmet ajrore. 16 sirianë të tjerë mbetën të lënduar nga shpërthimet.
IDF tha se ka goditur qendrat komanduese dhe shënjestrat infrastrukturore të grupit militant, Xhihadi Islamik, në Siri, dhe se ka shkaktuar “dëme të mëdha ndaj qendrës komanduese të organizatës terroriste dhe operativëve të saj”.
Nga ana tjetër grupi militant i Hamasit ka shprehur gatishmërinë për një armëpushim të menjëhershëm me Izraelin. Por sipas tyre kryeministri hebre benjamin Netanyahu nuk e dëshiron një gjë të tillë.
Top Channel