Greqia është në bisedime me Izraelin, për blerjen e të ashtuquajturës kupolës së mbrojtjes kundërajrore dhe raketore, e quajtur ndryshe dhe “Iron Dome”, me vlerë 2 miliardë euro.
Lajmin e bën të ditur agjencia e lajmeve Reuters, që i referohet burimeve ushtarake greke të cilat theksojnë se kupola anti-drone, e ngjashme me atë që përdor tashmë Izraeli në konfliktin në Gaza dhe Liban, është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të modernizuar forcat e armatosura greke , pasi vendi po rimëkëmbet nga kriza e zgjatur e borxhit publik.
Lajmi bëhet me dije vetëm disa orë pas një konference me dyer të mbyllura në parlament me ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias i cili ka paraqitur edhe një plan 10 vjeçar me ristrukturim të forcave ushtarake greke me vlerë disa miliarda dollarë.
“Të arrijmë një tavan, këtë e kam thënë publikisht, nuk është sekret ushtarak,me 200 avionë të gjeretaës se 4,5 dhe të 5 të. Do me thënë kur të blejmë Viper-at modernë , Rafalë-t dhe F-35. Kjo do të na mundësojë shkallëzim ekonomik , duke çliruar burimet njerëzore në mënyrë që të mund të mbajmë një Forcë Ajrore, më të fuqishmen që kemi pasur ndonjëherë”, tha Nikos Dhendias ministri grek i Mbrojtjes.
Duke theksuar se nuk ka nevojë që Greqia të ketë më shumë reparte ushtarake se SHBA, Dhendias ka thënë se do të mbyllen të paktën 132 prej mbi 837 ekzistueseve për ti bërë ato që mbeten më të fuqishme dhe me mbi 70% më shumë në numër me forca ushtarake dhe armë. Gjithashtu do të krijohen 16 njësi kryesore këmbësorësh për mbështetjen e Marinës luftarake, me tanke të gjeneratës së tretë në ishuj ,ndërsa do të blihen raketa strategjike me rreze të gjatë.
“Duhet të hyjmë në epokën e dronëve. Çdo njësi e ushtrisë greke do të ketë një aftësi përdorimi të sistemeve anti-drone dhe 3 nga 4 llojet e batalioneve që po krijojmë do të kenë gjithashtu aftësinë për të emetuar dronë”, shtoi Nikos Dhendias ministri grek i Mbrojtjes.
Ministri grek ka deklaruar se duhet kaluar tashmë në epokën moderne të komunikimeve satelitore me një satelit grek ,ndërsa duhet të përgatitet vendi edhe për armatimin, në aftësitë e luftës kibernetike, sulmuese dhe mbrojtëse.
Struktura e re e Forcave Ushtarake aspiron të mbështetet me kalimin e kohës nga industria vendase e mbrojtjes dhe e ndërtimit të anijeve, e cila do të ketë në dispozicion fonde prej 6-7 miliardë eurosh për të marrë pjesë në zbatimin e programeve të reja.
Top Channel