Policia ndryshon faqe, në të 12 qarqet e vendit do të kemi për herë të parë një gjeneratë të re drejtuesish policie që kanë dalë nga një konkurs ku kaluan filtrin e integritetit e profesionalizmit.
Tirana qarku më i madh i vendit i është besuar Elton Alushit i cili deri më tani mbante detyrën e zëvendës drejtorit për hetimin e krimeve në Vlorë. Elton Alushi zëvendëson në këtë detyrë, Tonin Vocajn.
Kreu i ri i policisë në Durrës do të jetë Vilson Bala, i cili deri tani ka drejtuar Forcat Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme. Vilson Bala pritet të zëvendësojë kreun aktual të policisë Skënder Hitaj.
Skënder Hitaj që lë Durrësin nuk do të mbetet pa post. Ai do të drejtojë policinë e Fierit, post të cilin e mbante deri më tani Lorenc Panganika.
Në Elbasan postin e lënë bosh nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda do ta zërë Fatmir Hoxha, i cili më herët ka mbajtur detyrën e drejtorit në policisë së Gjirokastrës dhe atë të drejtorit të Kufirit në Korçë.
Në Shkodër ku situata me krimin mbetet e nxehtë është zgjedhur në krye të Policisë, Fatmir Lleshaj. E pikërisht zbardhja e masakrës së Dobraçit, ku humbën jetën 4 persona ishte porosia e parë që ministri i linjës Ervin Hoxha i la. Në vitin 2002 Lleshaj ka qenë shef qarkullimi në Shkodër. Lleshaj zëvendëson në këtë post Edmond Sulajn.
Në vend të Alfred Elezaj, Policinë e Lezhës do ta drejtojë Altin Mena, zëvendës drejtor aktual i policisë së Lezhës. I sapo graduar me gradën “drejtues” Mena prej vitesh është pjesë e radhëve të policisë. Posti më i lartë që ai ka mbajtur në karriere është ai aktual si zëvendës drejtor policisë për rendin dhe sigurinë në Lezhë. Në këtë qytet më herët ai ka shërbyer si shef i qarkullimit rrugor. Mena gjithashtu ka mbajtur edhe detyrën e shefit të komisariati, post ky që e ushtroi në qarkun e Beratit.
Drejtimi i policisë së qarkut më të madh në juglindje, Korçës i është besuar Erion Ahmeti, i cili më herët ka mbajtur detyrën e Ahmeti ka qenë shefi i qarkullimit rrugor në policinë e Tiranës. Ahmeti i merr drejtimin e policisë së këtij qarku Gjovalin Lokës.
Në Vlorë, në vend të Ermal Muçës, drejtuesi i ri i policisë do të jetë Elidon Çela ish-drejtori i AMP-së së Tiranës, aktualisht te Standardet Profesionale.
Posti i drejtorit të policisë së Gjirokastrës i është besuar Altin Mezirajt, i cili do të zëvendësojë një emër të njohur në polici si Adian Çipa. Meziraj ka qenë më herët zv.drejtor krimesh në Policinë e Tiranës dhe shef i Sektorit të Trafiqeve të Paligjshme.
Në Berat Kastriot Skënderajn do ta zëvendësojë Luigj Vathi, i cili më herët ka mbajtur detyrën e drejtori i kufirit dhe emigracionit në Vlorë
Drejtimin e qarkut të Kukësit e ka marrë Gentian Berberi që më herët ka qënë zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve në Lezhë. Gentian Berberi do të zëvendësojë Arben Dashin.
Ndërkohë qarkun e Dibrës që drejtohej nga Dhimitraq Ziu e merr tani Artion Duka, ish-Drejtor i Forcave Operacionale në Policinë e Shtetit.
Top Channel