Policia ka kapur në flagrancë dy persona të cilët tentuan të vidhnin një automjet pas mesnate në Korçë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, pas marrjes së njoftimit se dy shtetas po tentonin të vidhnin një automjet, në lagjen nr.18, Korçë, kanë organizuar menjëherë punën në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, për kapjen e tyre.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kapën në flagrancë pas mesnate, duke tentuar të hapnin dyert e automjetit tip “Audi”, me mjete të forta, dhe u arrestuan shtetasit: E. M., 33 vjeç dhe E. Z., 30 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Mjetet e përdorura nga këta shtetas për vjedhjen u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.
Top Channel