Lideri i telekomunikacionit One Albania mbajti këtë të martë One Tech Forum, Konferenca për Sigurinë Kibernetike ku bëri bashkë përfaqësues të industrisë, zyrtarë dhe ekspertë të sigurisë kibernetike duke shërbyer si një platformë për hapjen e një dialogu mbi risqet kibernetike dhe nevojën për masa të forta sigurie në sektorë të ndryshëm.
Drejtori ekzekutiv, Brano Djuroviç, ritheksoi rolin e One Albania, si një kompani që jo vetëm njeh nevojën për rritjen e masave të sigurisë kibernetike, por edhe si një ofrues i shërbimeve që kanë si qëllim ruajtjen e të dhënave sensitive dhe garantimin e sigurisë për bizneset
“Në epokën e sotme digjitale, siguria kibernetike nuk është vetëm një çështje teknike; është një aspekt themelor i ekonomisë dhe shoqërisë sonë. Në One Albania, ne sigurojmë që rrjetet tona të jenë të mbrojtura dhe që klientët tanë të jenë të informuar dhe të ruajtur nga kërcënimet kibernetike. Për më tepër jemi e para kompani TELCO që garanton sigurinë e sistemeve të kompanive të tjera përmes shërbimeve që ofrojmë”, tha Djuroviç.
Ekspertët shqyrtuan sigurinë në sektorët financiarë dhe bankarë dhe më pas diskutimi u ndal tek përmirësimi i mbrojtjes së bizneseve për të garantuar të dhënat e klientëve të tyre Drejtori i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe anëtari i bordit mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë theksuan se siguria kibernetike është kthyer një prioritet kombëtar.
“Në mars të këtij viti Shqipëria dhe autoriteti kombëtar i sigurisë Kibernetike rifreskoi ligjin e ri të sigurisë kibernetike i cili tashmë është një ligj që i jep më shumë fuqi pjesës së implementimit të sigurisë kibernetike në të gjithë operatorët dhe në të gjithë sektorët“, u shpreh Igli Tafa, drejtor i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
“Banka e Shqipërisë gjithmonë ka qene ne radhe të parë të iniciativave për digjitalizimin sistemit financiar qoftë edhe për krijimin e mbrojtjes së këtij dijgitalizimi. Dy vjet më parë ne miratuam rregulloren autoindetifikimin dhe open benking dhe open banking është kthyer në një moment mjaft të rëndësishëm sa i përket digjitalizimit të sistemit financiar dhe hapjes së gjithë sistemit financiar për klientët e tij”, tha Deniz Deralla, anëtar i Bordit Mbikqyrës në Bankën e Shqipërisë.
One Albania do të vijojë të investojë në teknologji të përparuar dhe zgjidhje efikase, duke siguruar që klientët e saj, por edhe komuniteti më i gjerë të mund të gëzojnë përfitimet e botës online pa rrezikuar sigurinë e tyre në internet.
Top Channel