Deri në dorëzimin e stafetës, Anthony Blinken vazhdon punën.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua në bruksel me kreun e NATO-s Mark Rutte, të cilin e garantoi se administrata e presidentit Joe Biden do ta forcojë mbështetjen e saj për Ukrainën në muajt përpara se Donald Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, e madje theksoi se edhe do të përpiqet të forcojë aleancën gjatë kësaj kohe.
“Presidenti Biden do të shfrytëzojë çdo ditë për të vazhduar të bëjë atë që kemi bërë këto katër vitet e fundit, që është forcimi i kësaj aleance. Zyrtarët e tij po punojnë për të ofruar të gjithë ndihmën e miratuar nga Kongresi për Ukrainën përpara largimit nga detyra”, tha Blinken.
Kryediplomati amerikan nuk la jashtë vëmendjes dhe situatën në terren në ukrainë, e theksoi se përfshirja e trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar Rusinë në luftën e saj në Ukrainë “kërkon dhe do të marrë një përgjigje të vendosur”.
“Ne patëm një diskutim shumë produktiv sot për vijimësinë e mbështetjes tonë për Ukrainën përballë agresionit të vazhdueshëm rus. Tani kemi edhe këtë element të shtuar, forcat koreano-veriore të injektuara në betejë, por që do të marrë një përgjigje të prerë”, theksoi Sekretari.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump, i cili ka vënë në pikëpyetje mbështetjen ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, thotë se do t’i japë fund shpejt luftës së Rusisë pa thënë se si do të bëjë këtë, duke ngritur shqetësime midis aleatëve të SHBA-së se ai mund të përpiqet të detyrojë Kievin të pranojë paqen sipas kushteve të Moskës. Presidenti Biden largohet nga detyra më 20 janar.
Top Channel