Pas pretendentes për postin e Komisioneres së Zgjerimit Marta Kos, edhe kandidatja për pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, shpalosi të njëjtin vizion lidhur me shtrirjen e bllokut europian.
Në një seancë dëgjimore sot, në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, i cili duhet ta konfirmojë Kallasin për pozitën e nominuar, ish kryeministrja e Estonisë deklaroi se do të angazhohet për të forcuar sigurinë e bllokut evropian, dhe do të bashkëpunojë me fqinjët që ndajnë vlera të përbashkëta, si dhe kanë aspirata për anëtarësim në bllokun evropian.
“Zgjerimi i BE-së e forcon vetë bllokun, por edhe vendet që synojnë anëtarësimin. Forca tërheqëse e Bashkimit Europian i frymëzon shtetet nga Ballkani Perëndimor e deri tek Europa Lindore për reforma dhe për angazhim drejt integrimit. Së bashku me Komisioneren për Zgjerimin do të punoj plot vullnet që ta bëjmë realitet zgjerimin. Të mos harrojmë se problemet e sotme të fqinjëve tanë do të jenë problemet tona nesër”, shprehet Kallas.
Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, është përzgjedhur nga kryetarja e Komisionit Europianë, Ursula von der Leyen dhe vendet anëtare të bllokut, për të udhëhequr politikën e jashtme në mandatin e ardhshëm pesëvjeçar. Në legjislaturën e kaluar, këtë post e mbajti Josep Borrell.
Vendet e Ballkanit Perëndimor – përveç Kosovës, si dhe Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia janë që të gjitha kandidate për anëtarësim në BE.
Kallas insistoi se siguria e BE-së është e lidhur ngushtë me NATO-n dhe u zotua të angazhohet për të vazhduar bashkëpunimin transatlantik, duke i lidhur sfidat kryesore të Bashkimit Europian sot dhe aleatëve me qasjen e Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut, vende, të cilat, sipas saj, janë duke sfiduar nga ana e tyre rendin botëror.
Top Channel