Tre shtetas, që trafikonin njerëz në Mbretërinë e Bashkuar, u shpallën fajtorë pas një hetimi të Agjencisë Kombëtare të Krimit.

I pari, është një shtetas britanik nga Birmigham, i cili erdhi në Mbretërinë e Bashkuar nga Iraku në vitin 2002. Pistiwan Jameel, 54 vjeç, kishte kontakte me bandat e kontrabandës së njerëzve me bazë në Francë dhe ndërmjetësonte në gjetjen e klientëve.

Një ndër klientët, ishte shtetasi shqiptar Artan Halilaj, 39 vjeç. Oficerët e NCA-së, gjatë hetimeve, vëzhguan takimin e Jameel me Halilajn në Birmingham më 1 shtator 2023. Sipas hetimeve, në këtë takim u bë një dorëzim parash dhe më pas, në një telefonatë, Jameel shprehet: “Tre pasagjerët e mi janë të gjithë mirë për të shkuar, gjithçka në rregull”.

Artan Halilaj, i cili në atë kohë jetonte në Southall, kishte mbërritur vetë me një varkë të vogël nga Belgjika në fillim të vitit 2023. Ai kërkoi azil, por u zhduk nga hoteli ku supozohej të qëndronte teksa kërkesa e tij përpunohej nga Home Office.

Halilaj, thonë autoritetet, po organizonte kalimin për të afërmin e tij Fiorentino Halilaj, 25 vjeç, i cili kaloi Kanalin me një varkë të vogël të nesërmen më 2 shtator. Në celularin e tij, u gjet se ai kontaktonte me Jameel.

Halilaj dhe Jameel u arrestuan nga oficerët e NCA në 23 tetor 2023, ndërsa Fiorentino Halilaj u arrestua të nesërmen në qendrën e paraburgimit të emigracionit ku po mbahet.

Jameel dhe Fiorentino u deklaruan fajtorë të dy, ndërsa Artani mohoi përfshirjen. Sot (e martë 12 nëntor 2024), ai u shpall fajtor pas një gjyqi njëjavor në Birmingham Croën Court. Të tre do të mësojnë dënimin e tyre ne 3 dhjetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA