Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së Ukrainës, Oleksandr Syrskiy, ka thënë se trupat koreanoveriore janë duke u përgatitur për të luftuar përkrah ushtrisë ruse.
“Kemi marrë raportime të shumta se ushtarët e Koresë së Veriut janë duke u përgatitur për të marrë pjesë në operacione ushtarake përkrah forcave ruse”, shkroi Syrskyi në Facebook të shtunën.
Ai i bëri këto komente pas një bisede me Christopher Cavoli, gjeneralin e lartë amerikan, i cili udhëheq Komandën Evropiane të SHBA-së.
Syrskyi tha se gjendja në vijën e frontit të luftës gati 1.000-ditëshe me Rusinë mbetet “e vështirë dhe tregon shenja të përshkallëzimit”.
Agjencia e inteligjencës e Koresë së Jugut dhe më pas autoritetet amerikane thanë se 3.000 trupa koreanoveriore kishin mbërritur në bazat stërvitore ruse në fillim të tetorit, dhe deri në 12.000 ushtarë – afërsisht sa katër brigada – mund të dërgohen përfundimisht në konfliktin në Ukrainë.
Një diplomat i lartë ukrainas tha se zhvendosja e tyre po udhëhiqet nga tre gjeneralë dhe rreth 500 oficerë.
Inteligjenca e ushtrisë ukrainase ka raportuar se Rusia i ka pajisur ushtarët koreanoveriorë afër kufirit ukrainas me armë luftarake, përfshirë pushkë sulmuese, raketa anti-tanke dhe granatahedhës.
Megjithatë, ende ka dyshime rreth aftësive luftarake të koreanoveriorëve dhe se çfarë ndikimi do të ketë prania e tyre në fushën e betejës./Rel
Top Channel