Ministria e Arsimit ka përzgjedhur 320 mësues koordinatorë për këshillimin e karrierës në të gjithë vendin, një pozicion i ri ky.
Mësuesit koordinatorë do të ofrojnë udhëzime të personalizuara për nxënësit dhe prindërit, duke I orientuar në zgjedhjet e mëtejshme akademike dhe profesionale.
Ne jemi në gjimnazin “Ismail Qemali në Tiranë, gjimnaz me rreth 1300 nxënës, ku si mësuese koordinatore për këshillimin e karrierës është përzgjedhur Jonida Varfi, mësuese biokimie me një përvojë 30 vjeçare.
Jonida Varfi, Koordinatore për Këshillimin e Karrierës, gjimnazi “Ismail Qemali”: Ky është një projekt i cili funksionon mbi bazën e një plani që shtrihet gjatë gjithë vitit. Por ne e kemi nisur me pyetësorët nëpërmjet të cilëve do të krijojmë një ide të qartë në lidhje me preferencat apo edhe zgjedhjet e nxënësve. Më pas mbi bazën e këtyre preferencave, në qoftë se deri para pak kohësh ne I çonim nxënësit në grupe, që të njiheshin me konkretisht me fakultetet, me orët e mësimit, me bizneset etj., tashmë nëpërmjet pyetësorëve kemi mundësinë t’i çojmë jo me grupe, por nxënës, sipas interesave që ata kanë shpalosur. Konkretisht kemi komunikuar me një fasoneri dhe duke u bazuar tek pyetësori, ne atje do të çojmë nxënës p.sh që kanë zgjedhur të studiojnë Inxhinierinë Mekanike, Ekonomik, Menaxhim, et, për të parë se si funksionon nga afër.
Këshillimi i Karrierës është i rëndësishëm, pasi nxënësi mund të shikojë më nga afër profesionet që ai ka në mendje dhe mbi bazën e kësaj ai të qartësohet se kush është rruga e duhur që duhet të zgjedhë.
Top Channel