“Ai është një njeri shumë i guximshëm. Gjërat që ai tha për rifillimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe dëshirën e tij për të favorizuar një zgjidhje të krizës ukrainase janë të paktën të denja për vëmendje. Dhe duke e shfrytëzuar këtë rast, dëshiroj ta përgëzoj për zgjedhjen e tij si President i Shteteve të Bashkuara”.
Në 3 minuta e 24 sekonda, Vladimir Putin i bëri elozhet e vonuara, por të pritshme prej tij Donald Trumpit. “Për të ky është mandate i fundit. Se çfarë do të bëjë gjatë tij, është puna e vet.
Megjithatë, mendoj se pohimet e tij për rivendosjen e marrëdhënieve me Rusinë dhe zgjidhjen e krizës ukrainase janë bërë me vetëdije, dhe kjo meriton vëmendje”, shtoi shefi i Kremlinit.
Më tej, në reagimin e tij, presidenti rus përmendi dhe aleancën më të madhe ushtarake të globit, mes të cilës, disa anëtarë vetë e kanë parë me shqetësim kthimin e Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë.
“NATO-ja e humbi arsyen e ekzistencës me fundin e Bashkimit Sovjetik: edhe SHBA-ja vetë e konsideron tani një organizatë të dorës së dytë. Për ta mbajtur atë gjallë, nevojiteshin konflikte të reja. Duhej krijuar një frikë konkrete. Ishte e nevojshme të ndahej Rusia nga Evropa. Dhe kështu arritëm te grushti i shtetit në Ukrainë dhe armiqësitë në Donbass. Thjesht na detyruan të reagonim”, u shpreh Putini, duke iu rikthyer kështu edhe një herë justifikimeve të përsëritura për agresionin brutal të vendit të tij ndaj fqinjit të vet paqësor, Ukrainës.
Trump vetë është shprehur se është i përgatitur për një bisedë me Putinin. “Mendoj se do të flasim”, tha Trump në një intervistë për NBC News. Megjithatë, republikani shtoi se kishte folur me “ndoshta” 70 liderë botërorë që nga mëngjesi i 6 nëntorit, por Putin nuk ishte në mesin e tyre.
Top Channel