Recep Tayyip Erdogan ka shpresa tek qasja anti-luftës e kreut të zgjedhur të shtetit amerikan, Donald Trump.
Presidenti turk u shpreh se uron që Trumpi do t`i kërkojë Izraelit të “ndalë” luftën. Një fillim i mbarë, sipas Erdoganit, do të ishte ndërprerja e furnizimit të Izraelit me armë nga SHBA-ja.
“Trump ka premtuar t`i japë fund konflikteve… Ne duam që ai t’i mbajë këto premtime dhe që t’i thotë Izraelit ‘ndalu’. Si fillim, mund ta nisë duke ndërprerë mbështetjen me armë për Izraelin, në mënyrë që të ndalet agresioni i tij në tokat palestineze dhe libaneze”, u shpreh Erdogan.
Turqia i ka kritikuar ashpër ofensivat ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës dhe në Liban, si dhe e ka ndërprerë tregtinë me Izraelin. Ankaraja po kështu i është bashkuar një rasti për gjenocid kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Erdogani insistoi se presidenca e Trumpit do të ketë ndikim të madh ndaj balancave politike dhe ushtarake në Lindjen e Mesme, tha Erdogan, duke shtuar se ruajtja e qëndrimit të tanishëm amerikane vetëm sa do të thellonte edhe më shumë konfliktin, që pas Gazës u shtri me bombardimet izraelite edhe në Liban, ku shteti hebre dërgoi dhe trupa tokësore përtej kufirit.
Top Channel