Koreja e Veriut ka lëshuar një breshëri raketash balistike me rreze të shkurtër veprimi mëngjesin e 5 nëntorit, tha ushtria e Seulit.
Ky është testimi i dytë i raketave që Pheniani kryen brenda ditësh dhe lëshimi i raketave u bë vetëm disa orë para se amerikanët t’iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ri.
Koreja e Veriut javën e kaluar testoi një raketë, që tha se ishte raketa e saj më e fuqishme balistike ndërkontinentale që operon me karburante të ngurta. Ky ishte testimi i parë i kryer nga Pheniani që kur Koreja e Veriut u akuzua për dërgimin e ushtarëve për të ndihmuar Rusinë në luftën kundër Ukrainës.
Pheniani, që ka mohuar dislokimin, është nën presion ndërkombëtar për të tërhequr trupat nga Rusia, me Seulin që paralajmëroi të martën se mijëra ushtarë po dislokohen në zonat e vijës së fronti, përfshirë në Kursk.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Seulit tha se ka detektuar lëshimin e “disa raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi në orën 07:30, sipas kohës lokale, që u lëshuan drejt ujërave lindore të Gadishullit Korean”.
Raketat fluturuan rreth 400 kilometra dhe ushtria e Seulit tha se ka gjurmuar në kohë reale dhe ka ndarë informacione me Tokion dhe Uashingtonin.
“Në përgatitje për lëshime të reja, ushtria jonë ka forcuar vëzhgimin dhe gatishmërinë”, tha ushtria.
Tokio po ashtu ka konfirmuar testimin e fundit të Phenianit dhe zëdhënësi i Qeverisë, Yoshimasa Hayashi, tha se “lëshimet e vazhdueshme të raketave nga Veriu kërcënojnë paqen dhe sigurinë e shtetit tonë”.
Të dielën, Koreja e Jugut, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara kryen stërvitje të përbashkëta ajrore, ku u përfshin bombarduesit amerikanë B-1B, avionët luftarakë koreanojugor F-15K dhe KF-16 dhe ata japonezë F-2, në përgjigje të lëshimit të raketës balistike ndërkontinentale nga Pheniani.
Stërvitje të tilla zemëruan Korenë e Veriut, e cila i sheh ato si përgatitje për pushtim. /rel
Top Channel