“Britania po varfërohet”, liderja e re e konservatorëve tregon ‘të vërteta të hidhura’: Po humbasim garën me shtetet e tjera

03/11/2024 15:52

Kemi Badenoch ka thënë se do t’i tregojë “të vërteta të hidhura” si shtetit, ashtu edhe partisë së saj, teksa ka nisur punën si lidere e Partisë Konservatore në Britani të Madhe.

Në paraqitjen e parë para mediave, Badenoch ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se Britania po varfërohet dhe po humb garën me shtetet tjera.

Përgjatë intervistës, ajo ka thënë se “duhet analizuar se si mund të riorganizojmë ekonominë tonë për të qenë gati për të ardhmen, dhe jo vetëm për atë që kemi bërë deri më tani”.

“Mendoj që në këtë pikë kemi sfidë, por jam shumë optimiste për atë që mund të bëjmë”.

Brenda ditësh, ajo pritet t’i bëjë publikë emrat e kabinetit të saj brenda partisë, që aktualisht është në opozitë. Badenoch është bërë gruaja e parë me ngjyrë që udhëheq një parti të madhe politike evropiane.

Përzgjedhjet e saj në kabinet do të tregojnë se në çfarë drejtimi mëton të çojë partinë, teksa konservatorët tentojnë të marrin veten, pas humbjes në zgjedhjet e fundit.

Në fjalimin e saj të fitores të shtunën, Badenoch e ka pranuar se partia e saj ka shumë punë për të bërë dhe që duhet të jetë e sinqertë për gabimet që ka bërë.

“Ka ardhur koha për të thënë të vërteta, për të rritur zërin për parimet tona, për të planifikuar të ardhmen, për të rikrijuar politikat dhe mënyrën e të menduarit, dhe për t’i dhënë partisë e shtetit tonë fillimin e ri që e meritojnë”.

Sipas saj, Qeveria aktuale e laburistëve “do të dështojë”, sepse “janë duke përsëritur shumë gabime tonat në këtë sistem të thyer”.

Zgjedhjet e radhës në Britani do të duhej të mbaheshin më 2029./ rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA