Policia e Elbasanit ka reaguar zyrtarish për arrestimin e 6 pedagogëve të arrestuar në fakultetin e Shkencave të Edukimit në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’, ndërsa njëra është ende në kërkim.
Pedagogët e dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, janë Ornela Bilali, Zyhra Gripshi, Adrian Shingjergji, Beatriçe Gani, Edlira Gugu, Florinda Tarusha dhe Monika Hodaj.
Policia thotë se pedagogët kanë shpërdoruar detyrën, duke kaluar në mënyrë të parregullt në provime një studente 31 vjeçe, me qëllim për të përfituar shuma parash të cilat i ka marrë shtetasi G. H..
Njoftimi i policisë:
Shpërdoruan detyrën duke përfituar para për të kaluar në provime studenten, vihen në pranga 6 pedagogë dhe vijon puna për kapjen e 1 tjetri.
Në pranga edhe shtetasi i cili mori lekët për tua dhënë pedagogëve. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan tezat e provimeve të studentes.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas denoncimit të bërë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan nga gazetarët e emisionit investigativ, për një rast të shpërdorimit të detyrës duke kaluar në mënyrë të parregullt në provime një studente 31 vjeçe me qëllim për të përfituar shuma parash, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Teza”.
Në kuadër të operacionit policor nën drejtimin e Prokurorisë u arrestuan në flagrancë shtetasit: M. H., 49 vjeçe, B. G., 58 vjeçe, F. T., 56 vjeçe, A. Sh., 61 vjeç, O. B., 50 vjeçe, Z. G., 37 vjeçe dhe G. H., 59 vjeç.
Gjithashtu, shpallën në kërkim shtetasen E. G., 51 vjeçe, pedagoge.
Këta shtetas me detyrë pedagogë kanë shpërdoruar detyrën, duke kaluar në mënyrë të parregullt në provime një studente 31 vjeçe, me qëllim për të përfituar shuma parash të cilat i ka marrë shtetasi G. H..
Nga kontrolli në zyrat e pedagogëve u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tezat e provimeve të studentes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan,
Top Channel