Një sondazh i fundit i ARD-Deutschlandtrend, tregon se gjermanët janë të pakënaqur me qeverinë aktuale të koalicionit të SPD, FDP dhe të Gjelbrit, e cila është në pushtet që nga 8 dhjetori 2021 dhe duan zgjedhje të parakohshme.
Anketimi shokues tregon se rreth 85 për qind e gjermanëve nuk janë të kënaqur me performancën e ekzekutivit. ARD-Deutschlandtrend bën sondazhe të këtilla për punën e qeverisë federale që nga viti 1997.
Sondazhi i tanishëm është më i keqi për qeverinë që nga qershori i vitit 2010 kur qeverisë CDU/CSU dhe FDP i besonin vetëm 12 për qind. Nëse zgjedhjet parlamentare federale do të mbaheshin këtë të dielë, Unioni konservator CDU dhe CSU në opozitë, do të merrte 34 për qind të votave. SPD do të fitonte 16 për qind, të Gjelbërit 11 për qind, ndërsa FDP do të mbetej jashtë parlamentit, sepse do të fitonte vetëm katër për qind. AfD do të merrte 17 për qind-.
Partitë e tjera do të merrnin gjithsej 12 për qind. Kur bëhet fjalë për vlerësimet personale, kancelari Olaf Scholz aktualisht ka mbështetjen e vetëm 19 për qind të votuesve. Në krahasim me te, vlerësimi më i ulët i Gerhard Schröder ka qenë 24 për qind, ndërsa Angela Merkel nuk ka pasur kurrë mbështetje më të ulët se 40 për qind gjatë mandateve të saja. Tre të katërtat e gjermanëve (73 për qind) janë të shqetësuar me situatën e tanishme ekonomike.
Përveç kësaj, 44 për qind shqetësohen se nuk do të jenë në gjendje të ruajnë standardin e tyre të jetesës, ndërsa 18 për qind e punonjësve kanë frikë se mund të humbin vendin e tyre të punës.
Top Channel