Për shkelje të ndryshme ligjore të konstatuara, gjatë periudhës Janar-Tetor 2024, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka miratuar 46 gjoba për subjekte të ndryshme, radio, televizione e subjekte kabllorë të autorizuar.
Nga monitorimi i përmbajteve, nga kontrollet e grupeve të inspektimit apo nga shqyrtimi i ankesave të mbërritura në Këshillin e Ankesave, janë konstatuar transmetime që nxisin urrejtjen mes shtetasve; transmetime që cenojnë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut; transmetime të përmbajtjeve të dëmshme për fëmijët; transmetime që nxisin dhunën ose vepra penale; transmetime të paligjshme; shkelje e standardeve për transmetimin e pamjeve të rënda mbi ngjarje kriminale etj, të cilat janë ndëshkuar sipas përcaktimeve ligjore.
Gjithashtu, gjatë këtyre dhjetë muajve, ekipet e punës në AMA janë përballur edhe me OSHMA që nuk kanë vetëdeklaruar pasqyrat financiare në AMA, që nuk përmbushin detyrime të tjera ligjore, siç është deklarimi i strukturës së pronësisë, por edhe radio që nuk kanë respektuar kërkesat ligjore për përmbajtjen programore të transmetuara.
Për këto shkelje, 10-mujori i 2024 është mbyllur me 46 gjoba.
Mbikqyrja dhe rregullimi i mëtejshëm tregut mediatik audio dhe audioviziv, zbatimi i ligjit dhe ndëshkimi i shkelësve është një nga objektivat e punës së AMA-s, me qëllim sigurimin e një tregu profesional audioviziv në Shqipëri.
Top Channel