Mediat perëndimore raportonin sot një tjetër zhvillim utopik nga qeveria radikale e Afganistanit, e cila ka ndaluar që “të dëgjohet zëri i grave teksa flasin me njëra-tjetrën” në publik.
Khalid Hanafi, ministri taliban “i vyrtytit” tha se ndalohet që gratë e rritura të lejojnë që zëri i tyre të dëgjohet në rrugë, në një tjetër kufizim në liritë e grave në Afganistan.
Ai theksoi si alternativë që “në vend të bisedave me zë të lartë, gratë të luten ose të recitojnë Kuranin”, për të shtuar vyrtytin e tyre me dije nga Libri i Shenjtë musliman.
Mes kufizimeve të vendosura, Talibanët raportohet se kanë ndaluar që punonjëset femra të shëndetësisë të takohen me partnerët meshkuj të pacienteve, shkruan rrjeti Metro.
Në gusht u dha masa e ndalimit të të lexuarit ose kënduarit për gratë në publik.
Ato gjithashtu duhet të mbulojnë fytyrën e trupin gjithë kohën në publik, dhe të mbajnë veshje të gjera që të mos tregojnë format e trupit, për të mos tunduar meshkujt që i shikojnë, me të cilët nuk janë të martuara ose nuk kanë lidhje fisnore.
Në të tjera raportime të pakonfirmuara thuhet se dhe burrat ndalohen të shikojnë gratë në rrugë.
Samira, infermiere në Herat, në perëndim të Afganistanit, tha: “Kam punuar në klinika të largëta prej tetë vitesh, por dy muajt e fundit kontrolli i talibanëve mbi shoqërinë është shtuar papritur”.
“Ata nuk na lejojnë as të flasim në pikat e kontrollit kur shkojmë në punë”.
“Ndërsa në klinikë nuk mund të diskutojmë çështjet mjekësore me të afërmit meshkuj të pacientëve”, shtoi gruaja, sipas rrjetit Metro.
Aktivistet afgane të të drejtave kanë thënë se këto politika “misogjiniste” kufizojnë aftësinë e tyre për të lëvizur, punuar apo dhe folur lirisht.
Një prej tyre tha për mediat në kushte anonimati: “Atëherë si munden gratë që janë të vetmet që kujdesen për shtëpinë e tyre, të blejnë bukën apo të kërkojnë kujdes mjekësor, ose thjesht të ekzistojnë nëse u ndalojnë t’u dëgjohet zëri?’
“Urdhra të tillë i imobilizojnë gratë dhe e bëjnë jetën ezauruese për to, duke shtuar frikën e intimidimin”.
Direktivat duket se janë idea më e fundit e ministrisë afgane të “përhapjes së virtytit dhe parandalimit të vesit”, e krijuar pak pas rikthimit të talibanëve në pushtet në 2021.
Deri tani mediat talibane në provincat e Takhar, Maidan Wardak e Kandahar kanë zbatuar direktivën me bindje, tha zëdhënësi i ‘ministrisë së vyrtytit’, Saif ul Islam Khyber, sipas Metro///
Top Channel