Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu dhe Asllan Dogjani janë nën procedim penal nga policia pas organizimit të protestës ditën e djeshme në Tiranë, ku u bllokua qarkullimi i automjeteve për disa orë.
Gjithashtu një protestues ka rënë në pranga pasi ka penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, ndërsa 33 të tjerë janë në procedim penal në gjendje të lirë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me aktet e jashtligjshme të zhvilluara gjatë protestës së ditës së djeshme, më datë 29.10.2024, ka arrestuar 1 shtetas për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal.
“Janë referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në gjendje të lirë, për shtetasit Xh. M., 57 vjeç, F. N., 53 vjeç, A. D., 57 vjeç, dhe A. V., 53 vjeçe, Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik, parashikuar nga nenet 293, 274 dhe 236 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po punohet për kapjen e 2 personave të tjerë dhe gjithashtu janë shpallur në kërkim 3 automjete. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete të cilat janë përdorur për bllokimin e rrugës, ditën e djeshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprime të mëtejshme.
Top Channel