Greva e sektorëve të transportit kundër Milei prek më shumë se një milionë pasagjerë në Argjentinë (fotot)

30/10/2024 19:07

Transporti ajror e hekurudhor ishin pezulluar krejtësisht sot në Argjentinë prej grevës kundër masave të rënda të shkurtimit të shpenzimeve nga presidenti radikal Javier Milei, që përveç rritjes së varfërisë tashmë kërkon privatizimin e kompanisë shtetërore ajrore ‘Aerolíneas Argentinas’.

“Më shumë se një milionë pasagjerë janë prekur ne të gjithë vendin, 1,800 trena nuk kanë lëvizur,” tha për rrjetin AFP zëdhënësi i kompanisë shtetërore hekurudhore që menaxhon linjat e pasagjerëve në Buenos Aires.

Përvec sindikatës së hekurudhave, transportit të lumenjve, atij ajror, taksive e metrove, grevës i janë bashkuar shoferët e kamionëve.

“Një masë e madhe e popullatës kanë rënë në vështirësi  të mëdha,” tha Pablo Moyano, sekretar i sindikatës më të madhe të CGT.

“Sot ne po mbrojmë sovranitetin e transportit kombëtar, që ata të mos ua shesin të huajve për dy peso”, tha ai  për rrjetin vendas Radio 10.

Linjat ajrore Aerolíneas Argentinas tha në një deklaratë se 27,700 pasagjerë ishin prekur nga greva prej anulimit të 263 fluturimeve.

Punonjës publikë, studentë e grupe të tjera iu bashkuan protestës kundër shkurtimeve financiare të qeverisë dhe rritjes së çmimeve.

“Ne nuk po luftojmë vetëm për çështjet e sektorëve, por për arsimin, shëndetësinë, pensionistët dhe gjithçka që ko qeveri përpiqet të shkatërrojë në Argjentinë,” tha sekretari i sindikatës së punonjësve ajrorë, Juan Pablo Brey.

Ndërsa ministri i transporteve Franco Mogetta tha për mediat se greva është një “bojkot politik i sindikatave, që duan të mbrojnë interesat e tyre”.

Prej ardhjes në pushtet në fillim të vitit, Milei ka vendosur masa të ashpra të liberalizimit të ekonomisë dhe shkurtimit të shpenzimeve publike, për të riparuar financat dhe përfituar hua nga FMN.

Por tashmë ekonomia vendase është në recesion, me inflacion te lartë dhe varfëria ka përfshirë 52.9% të popullatës, shkruan AFP.

FOTO GALERI
1/5
Transporti ajror e hekurudhor ishin pezulluar krejtësisht sot në Argjentinë prej grevës kundër masave të rënda të shkurtimit të shpenzimeve nga presidenti radikal Javier Milei

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA