Greqia kërkon sërish dëmshpërblimet nga Gjermania/ 278,7 miliardë euro dëme gjatë Luftës së Dytë Botërore

30/10/2024 21:42

Greqia kërkon përsëri dëmshpërblimet e luftës nga Gjermania.

Udhëheqja shtetërore dhe politike e Greqisë ka risjellë në tryezën e bisedimeve thirrjen e saj për negociata me Gjermaninë në lidhje me dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kërkesat e kahershme greke janë theksuar gjatë takimit të presidentes së vendit me homologun e saj gjerman të cilin e kishte ftuar për një vizitë treditore në Greqi.

Katerina Sakellaropoulou, Presidentja e Greqisë: Dua të theksoj, bazuar në vendimin përkatës të Kuvendit të Greqisë në vitin 2019, rëndësinë e madhe të çështjes së reparacioneve të luftës dhe të Kredisë së Pushtimit e cila mbetet e jashtëzakonshme për popullin grek.

Pretendimet e Greqisë, që i ka dërguar notë zyrtare Gjermanisë prej vitit 2019 , kanë të bëjnë me kompensimin dhe dëmshpërblimet për dëmet që pësoi vendi , viktimat dhe pasardhësit e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, me vlerë sipas Zyrës së Përgjithshme të Kontabilitetit të Greqisë prej 278,7 mld euro,si dhe shlyerjen e të ashtuquajturës Kredi e pushtimit prej gati 10 mld eurosh, kthimin e veprave të artit dhe atyre arkeologjike të grabitura nga nazistët.

Frank-Walter Steinmeier, Presidenti i Gjermanisë: Për sa i përket qëndrimit tonë ligjor për çështjen e dëmshpërblimeve, ai ndryshon, siç e dini, ne jemi të mendimit që ligjërisht kjo çështje konsiderohet e mbyllur, por ne mbetemi të përkushtuar ndaj përgjegjësisë sonë historike.

Steinmeier përjashtoi mundësinë e negociatave të reja të dëmshpërblimeve të luftës gati 80 vjet pas përfundimit të saj edhe në takimin që pati me kryeministrin grek Mitsotakis kur ky i fundit theksoi se për Greqinë çështja e dëmshpërblimeve të luftës ishte ende shumë e “gjallë”.

Ndërsa Gjermania ka kërkuar falje për krimet e epokës naziste të kryera gjatë luftës, ajo vazhdimisht ka pohuar se nuk diskuton dëmshpërblimet dhe ka mohuar t’i ketë borxh diçka Greqisë për Luftën e Dytë Botërore që kur i pagoi Athinës shumën prej 115 milionë markash gjermane në vitin 1960.

Presidenti Steinmeier mbërriti në Selanik, të martën pasdite dhe vizitoi kantierin e ndërtimit të Muzeut të Holokaustit të Greqisë, i shoqëruar nga presidentja greke Sakelaropoulou, ndërsa pas Athinës, ku vizitoi monumentin e Ushtarit të Panjëhur dhe vendosi një kurorë lulesh në nderim të të rënëve të Greqisë, axhenda e tij përmban edhe vizitën e tij në fshatin Kantanos të Kretës, aty ku nazistët gjermanë vranë 180 vetë në vitin 1941.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA