Pesë godina të reja i janë shtuar “Qytetit Studenti” në Tiranë.
Përmes mbështetjes së qeverisë gjermane do të përfshihet edhe rikonstruksioni i 15 godinave të tjera, prej të cilave do të përfitojnë më shumë se 2.600 studentë shqiptarë.
“Sot nuk po përurojmë 5 ndërtesa, nuk po bëjmë 5 fjalime, sot nuk po tregojmë si u shpenzuan 5 para, por kemi bërë që fillimi të jetë i lehtë për 666 studentët e parë, – mbi 30 studentët e Kolegjit të Europës dhe studentët e tjerë shqiptarë – të cilët, do të kenë të njëjtat kushte, të njëjtin standard, të njëjtin administrim, si në të gjitha kolegjet e Bashkimit Europian”, tha Veliaj.
Gjatë ceremonisë së përurimit, Kryebashkiaku Erion Veliaj iu përgjigj edhe kritikëve në lidhje me kushtet, të cilat i cilësoi më të mira se në konviktet e Berlinit.
“Po shikoja para ca ditësh një postim, në një nga këto faqet, ku një studente e një prej konvikteve tona të reja kishte postuar një tiganë dhe pjata të palara, që kishin zënë krimba. Qeveria, bashkia, ambasada, BE, KfË, mund të investojë deri në njëfarë mase, por nuk ka bashki, qeveri, apo ambasadë në botë që të lan pjatat. Nuk ka bashki, ambasadë, qeveri në botë që të hekuros dhe të lan rrobat. Nuk ka ambasadë, qeveri, bashki në botë që të fshin pluhurat. Por, ky është edhe një moment rritjeje, është edhe një mundësi e jashtëzakonshme për t’u rritur si njeri. Ky nuk është një hotel, por është një shtëpi, shtëpia jonë e përbashkët dhe duhet të kujdesemi për këtë”, tha kryebashkiaku.
Veliaj bëri të ditur për studentët se tanimë mund të përdorin aplikacionin “Tirana ime” për të rezervuar një dhomë në “Qytetin Studenti”.
Top Channel