Ekspertët amerikanë: Loja mes Moskës dhe Phenianit nuk është në interes të Kinës, por…

30/10/2024 19:37

Reagimi i Kinës në lidhje me ndikimin rus në rritje mbi Korenë e Veriut dhe udhëheqësin e saj, Kim Jong Un, ka të ngjarë të jetë një kombinim i “acarimit dhe panikut” ndërsa duket se Pekini po humbet kontrollin mbi klientin tij, thonë ish-zyrtarë të politikës dhe zbulimit amerikan.

Ata vënë në dukje se partneriteti i qartë i sigurisë midis dy fqinjëve të Kinës, Rusisë dhe Koresë së Veriut, mund të minojë pozicionin strategjik të Kinës në Azinë Lindore dhe ka ndërlikime afatgjata që nuk janë të dobishme për Kinën.

Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi të mërkurën se Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Choe Son Hui, do të zhvillojë në Moskë “konsultime strategjike” me Ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, pasi Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe NATO-ja ngritën alarmin se Pheniani ka dërguar mijëra trupa në Rusi.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Rusia synon t’i përdorë në luftime ushtarët e Koresë së Veriut ose për të mbështetur operacionet luftarake kundër forcave ukrainase në rajonin e Kurskut. Koreja e Jugut e ka dënuar këtë si një kërcënim të fortë ndaj sigurisë botërore.

Shefi i politikës së jashtme kineze Wang Yi, zhvilloi bisedime të mërkurën në Pekin me numrin dy të politikës së jashtme ruse, Andrei Rudenko. Zoti Wang riafirmoi lidhjet e forta mes dy shteteve. Zyrtarët shkëmbyen mendime për Ukrainën, por nuk zbuluan detaje. Zyrtarët kinezë i kanë shmangur komentet e drejtpërdrejta lidhur me dërgimin e mijëra trupave koreanoveriore në Rusi.

“Kina u bën thirrje të gjitha palëve që të ulin tensionet dhe të përpiqen për një zgjidhje politike të krizës në Ukrainë. Ky qëndrim mbetet i pandryshuar”, tha të martën zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Lin Jian, duke përsëritur qëndrimin e Pekinit.

Paniku i Kinës

“Heshtja në Pekin për këtë temë është tronditëse”, tha Dennis Wilder, ish zyrtar i lartë i agjencisë amerikane të zbulimit, CIA. Zoti Wilder tha se Presidenti kinez, Xi Jinping, nuk ka gjasa të thotë asgjë publikisht pasi përballet me një Kim Jong Un të paparashikueshëm.

“Kinezët kanë qenë shumë të kujdesshëm në lidhje me ndihmën bërthamore për Phenianin, duke e mbështetur me pikatore ekonominë e atij vendi në mënyrë që Koreja e Veriut të mbetet e qëndrueshme. Por nëse Presidenti Putin ofron ndihmë bërthamore për Phenianin, kjo do të forconte aleancat amerikane në Azinë Lindore, ndoshta duke krijuar një NATO të vërtetë”.

“Presidenti kinez, Xi Jinping, është në një pozitë shumë të vështirë,” tha të martën zoti Wilder gjatë një takimi të organizuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) me seli në Uashington.

Zoti Wilder sugjeroi se Shtetet e Bashkuara mund t’i përdorin kanalet e komunikimit me zbulimin kinez për mbledhjen dhe analizën e përbashkët të të dhënave.

Ish zyrtari i lartë i Këshillit të Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Victor Cha, tha se duke dërguar trupa, Koreja e Veriut po i bën Rusisë një “parapagim” për një partneritet të ndërsjellë sigurie, diçka që Pheniani nuk mund ta siguronte kurrë nga Pekini.

Në Kinë, tha ai, “Ndoshta ka një kombinim të acarimit, panikut dhe mosdijes se si të veprojnë lidhur me situatën aktuale”.

“Paniku është se tani Rusia ka shumë më tepër ndikim mbi Korenë e Veriut sesa Kina”, shtoi eksperti Cha, i cili aktualisht është president i Departamentit të Gjeopolitikës dhe Politikës së Jashtme në organizatën CSIS.

Dy ekspertët, Wilder dhe Cha, shërbyen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë kohës kur George W. Bush ishte në Shtëpinë e Bardhë.

Pengesat gjuhësore

Analistë të tjerë ushtarakë vunë në dukje se ndërsa ushtarët e Koresë së Veriut mund të fitonin përvojë reale në operacionet luftarake në një vend tjetër, ata gjithashtu do të përballen me sfida të mëdha.

“Ka gjithashtu një problem të madh gjuhësor”, tha ish koloneli Mark Cancian, i cili shërbeu mbi tre dekada me Korpusin e Marinës amerikane, aktualisht këshilltar i lartë për Programin Ndërkombëtar të Sigurisë në organizatën CSIS.

Ai shtroi pikëpyetjen se si një grup koreanoverior mund të integrohej në mënyrë efektive në një njësi ushtarake ruse që të komunikonte dhe të vepronte së bashku.

Mundësia që Rusia t’i ofrojë Koresë së Veriut teknologji për raketat balistike, mbrojtjen ajrore dhe armët bërthamore, është “ndoshta skenari më i rrezikshëm” nga pikëpamja amerikane, tha zoti Cancian.

Shkelja e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Të martën, zyrtarët amerikanë hodhën poshtë vlerësimin e Ministrit të Jashtëm rus, se ndihma ushtarake midis Rusisë dhe Koresë së Veriut nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha të martën se “trajnimi i ushtarëve koreanoveriorë nga Rusia, si edhe çdo trajnim ose ndihmë në përdorimin e armëve balistike ose armëve të tjera”, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të disa rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, dhe Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, njoftuan planet për të shkëmbyer delegacione për koordinimin e veprimeve dhe për të shkëmbyer informacione në lidhje me dislokimin e trupave të Koresë së Veriut në Rusi. I dërguari i posaçëm i Kievit në Korenë e Jugut do të fillojë këtë javë bisedimet me zyrtarët e Seulit.

Zyrtarët në Uashington thanë se do të mirëprisnin shtimin e mbështetjes së Seulit për Kievin.

Qeveria e Koresë së Jugut la të kuptohet se do të shqyrtojë dërgimin e “armëve mbrojtëse dhe sulmuese” dhe gjithashtu mund të dërgojë në Ukrainë personel ushtarak dhe të zbulimit për të analizuar taktikat luftarake të Koresë së Veriut dhe për të ndihmuar në marrjen në pyetje të koreanoveriorëve që mund të kapen robër në fushën e betejës.

“Natyrisht, mirëpresim çdo vend që mbështet partnerët tanë ukrainas, ndërsa ata vazhdojnë të mbrojnë integritetin dhe sovranitetin e tyre territorial”, tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, gjatë një konference shtypi. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA