Njëkohësisht me zgjedhjen e Donald Trump apo të Kamala Harris do të rizgjidhet edhe një pjesë e madhe e Kongresit amerikan. Këtu do të vendoset edhe se çfarë hapësire veprimi do të ketë presidenca e ardhshme.

Në fillim të nëntorit sytë e gjithë botës do të ndjekin me vemendje, se kush do të arrijë të hyjë në Shtëpinë e Bardhë: Kamala Harris apo Donald Trump? Por sa do të jetë në gjendje të veprojë demokratja apo republikani në zyrën ovale, vendoset dy kilometra e gjysmë më larg, në Kongres, një pjesë e madhe e të cilit do të rizgjidhet gjithashtu më 5 nëntor. Parlamenti iShteteve të Bashkuara ka dy dhoma. Dhoma e Përfaqësuesve përbëhet nga deputetë, të cilët përfaqësojnë secili njërën nga 435 zonat elektorale me popullsi afërsisht të njëjta. Ata rizgjidhen çdo dy vjet, duke përfshirë edhe mandatet e ndërmjetme, mid terms, që ndajnë një presidencë në dy gjysma. Që nga mid terms (zgjedhjet e ndërmjetme) të vitit 2022 republikanët kanë mbajtur shumicën me një diferencë të ngushtë. Sondazhet presin një garë të ngushtë edhe kësaj radhe.

Në senat vetëm njëri ndër tre vende zihet rishtazi

Senati ka 100 vende, nga dy për çdo shtet. Kjo do të thotë se Wyoming, me më pak se 600.000 banorë, ka po aq ndikim sa Kalifornia me gati 39 milionë banorët e saj. 100 senatorët zgjidhen për gjashtë vjet. Megjithatë ato ndahen në tri të ashtuquajtura klasa, mandatet e të cilave janë të shkallëzuara në raport me njëra-tjetrën. Kjo do të thotë se një e treta e Senatit rizgjidhet çdo dy vjet. Këtë vit është radha e klasës I, e cila u plotësua për herë të fundit në mesin e presidencës së Donald Trump në vitin 2018.

Periudhat zgjedhore të mbishtresuara janë përcaktuar me kushtetutën e SHBA, për të ruajtur një shkallë të caktuar stabiliteti në dallim nga Dhoma e Përfaqësuesve, shpjegon Katja Greeson, drejtore e Programit Transatlantik në Institutin Aspen në Gjermani. “Ideja është e thjeshtë, që senatorët të mund të ndjekin qëllimet e tyre legjislative edhe për një kohë të gjatë, në vend që të fokusohen në fushatat zgjedhore. Pastaj nëse është kështu në realitet, për këtë jam pak skeptike – në SHBA ka një fushatë zgjedhore të vazhdueshme”, thotë Greeson në bisedë me DW.

Disavantazh strategjik për demokratët

Klasat janë të zëna në atë mënyrë, që nga çdo shtet të zgjidhet rishtazi vetëm një senator. Përjashtim përbën këtë vit shteti i Nebraskës, i dominuar nga republikanët, ku zëvendësohet një senator, që u largua para kohe. Këtë vit demokratët janë në një disavantazh strategjik: ata duhet të mbrojnë 19 vende, përveç kësaj skadon mandati i katër senatorëve të pavarur, të cilët zakonisht votojnë me demokratët. Nga 49 senatorët aktualë republikanë vetëm njëmbëdhjetë duhet të mbrojnë vendet e tyre, 38 të tjerët ndodhen ende në mesin e mandatit. Pra demokratët kanë shumë më tepër për të humbur.

Duelet më të rëndësishme

Me thellimin e polarizimit të peizazhit politik në Shtetet e Bashkuara është bërë më pak e zakontë, që në zgjedhjet presidenciale dhe të kongresit votuesit të votojnë për parti të ndryshme, thotë Katja Greeson. “Megjithatë, votimi i ndarë (splint voting) mund të jetë këtë vit vendimtar”. Ajo përmend si shembull Maryland, që në nivel presidencial konsiderohet një shtet i sigurt për Harris. Në senat nuk kandidon më mbajtësi demokrat i mandatit – demokratja Angela Alsobrooks përballet me republikanin e moderuar Larry Hogan. “Ai është shumë popullor në Maryland dhe unë pres gjithsesi, që të ketë disa votues, që do të votojnë për të dhe në të njëjtën kohë edhe për Harris”.

Në Montana sipas sondazheve demokrati Jon Tester mund të humbasë vendin e tij në Senat përballë republikanit Tim Sheehy. Sondazhet parashikojnë votimin më të ngushtë në Ohajo, mes deputetit aktual demokrat Sherrod Brown dhe kundërshtarit të tij republikan Bernie Moreno, ku nuk duken shenja se cili mund të jetë favoriti.

Ndërsa në shtetet e tjera ka favoritë të qartë: demokrati i njohur Adam Schiff pret të zgjidhet senator në Kaliforni – ai ka qenë më parë në Dhomën e Përfaqësuesve. Dhe madje edhe në shtetin shumë më të vogël Wyoming, mbajtësi aktual republikan i mandatit John Barrosso mund të marrë një mandat të katërt.

Senati dhe hapësira e veprimit për Harris ose Trump

Tani rezultati i zgjedhjeve në SHBA është ende plotësisht i hapur – kështu një president i mundshëm Trump mund të gjendej përballë një Dhomë Përfaqësuesish të dominuar nga demokratët, që ia kufizon atij lirinë në marrjen e vendimeve.

Një tjetër skenar i imagjinueshëm është, që një presidente e mundshme Kamala Harris do të duhej të përballej me një shumicë të ngushtë republikane në Senat. “Do të jetë një pengesë për Harris, nëse Senati është republikan”, mendon Katja Greeson nga Instituti Aspen në Gjermani. “Në muajt e parë do të ishte jashtëzakonisht e vështirë për presidenten, që të plotësonte postet e rëndësishme. Gjyqtarët, anëtarët e kabinetit të saj qeveritar dhe ambasadorët, për shembull, duhet të aprovohen nga Senati. Është historikisht e pazakontë, që shumë nga këto kandidatura të refuzohen, por nuk mund ta dish, “se në ç`masë senati i ri do ta thyejë traditën”.

Edhe në çështjet e politikave teknike – për shembull në politikën për klimën, mbështetjen për Ukrainën, tavanin e borxhit ose planet e Harris për të ulur çmimet e ushqimeve dhe për të investuar në banesa – do të kishte vështirësi. Greeson thotë: “Atëherë ajo do të duhej të kërkonte që në fillim kompromise mbipartiake”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA