Pas analizimit të 148 konservave me peshk ton, organizatat monitoruese të ushqimit Bloom dhe Foodwatch, kanë publikuar një raport shokues ku thotë se kanaçet e peshkut ton në të gjithë Evropës janë të kontaminuar me nivele të rrezikshme mërkuri, substancë neurotoksike, e dëmshme për shëndetin e njeriut.
Për më tepër ata shtojnë se si autoritetet publike dhe industria ishin në dijeni të standardit helmues të produktit të krijuar njëlloj për të gjitha vendet.
Bloom tha se nga 148 konservave toni të zgjedhura nga kompani të ndryshme në vende si Britani, Francë, Itali, Spanjë e Gjermani, të gjitha rezultonin me nivele helmuese mërkuri pas testimeve në një laborator të pavarur.
“Autoritetet publike kanë bashkëpunuar me industrinë e tonit për të krijuar këtë standard të veçantë për produktin, duke lejuar metalin e rëndë në ushqim”, tha Julie Guterman, drejtuese e grupit Bloom, duke folur nga Parisi.
Ajo i kërkonte qeverive dhe dyqaneve të produktit të përhapur gjerësisht, të merrnin masa urgjente duke ndaluar nivelet e rrezikshme të metalit të rëndë.
Grupet e njohura më parë për fushatën në mbrojtje të oqeaneve, shtonin se më shumë se gjysma e kanaçeve kishin më shumë se 0.3 miligram mërkur për çdo kg peshk.
Bloom shtonte se nivelet aktuale të pranisë së mërkurit prej 1 miligram per kilogram janë të dëmshme për njeriun dhe janë krijuar për t’u siguruar që i gjithë toni të shitet.
“Kjo është arsyeja përse peshkut ton, një nga speciet më të kontaminuara, i jepet toleranca maksimale për mërkurin, tre herë më shumë se speciet më pak të kontaminuara”, thuhet në raport.
Grupet Bloom e Foodwatch shtonin se nuk ka arsye shëndetësore për të justifikuar ndryshimet e niveleve të lejuara mes tonit dhe peshqve të tjerë.
“Mërkuri nuk më pak toksik kur merret nga toni sesa kur e merr nga peshqit e tjerë që konsumon. Vetëm përmbajtja e mërkurit numërohet si toksinë”, shtonin monitoruesit në raport.
Mërkuri është nga substancat më të dëmshme për shëndetin publik dhe OBSH thotë se depozitohet në atmosferë nga ndotja urbane.
Në oqean ajo besohet se përzihet me bakterie për t’u kthyer në metil-merkur, që është akoma më toksike për sistemin nervor të njeriut.
Grupi i kërkonte Komisionit Evropian të ulte nivelet e lejuara të mërkurit te peshku ton, siç aplikohet për peshqit e tjerë në 0.3 miligramë per kilogram.
“Ne i kërkojmë autoriteteve të shtrëngojnë rregullat pa vonesë, ndërsa shpërndarësve të mos shesin produkte që shkelin nivelet e mbrojtjes”, tha drejtuesja e grupi Foodwatch, Camille Dorioz, për rrjetin AFP.
Top Channel