Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar të martën stërvitje masive të forcave bërthamore të shtetit, duke përfshirë aty edhe lëshueset e raketave, teksa vazhdon të përshkallëzojë tensionet me Perëndimin, për shkak të luftës së nisur në Ukrainë.
Duke folur me liderët ushtarakë përmes video-lidhjes, Putin ka thënë se stërvitjet do të simulojnë veprimet e zyrtarëve më të lartë për përdorim të armëve bërthamore, dhe do të përfshijnë lëshim praktik të raketave me kapacitet bërthamor, dhe atyre lundruese.
Putin, i cili e ka përmendur vazhdimisht forcën bërthamore, sa herë që Perëndimi e ka rritur mbështetjen për Ukrainën, ka theksuar të martën se arsenali bërthamor i Rusisë vazhdon të jetë “garantues stabil i sovranitetit dhe sigurisë së shtetit”.
“Duke marrë parasysh rritjen e tensioneve gjeopolitike dhe kërcënimet e reja, është e rëndësishme për ne që të kemi forca strategjike moderne që janë gjithmonë gati për luftë”, ka thënë ai, duke rikonfirmuar se armët bërthamore të Rusisë i sheh si “masën më ekstreme për ruajtje të sigurisë”.
Putin ka thënë se Moska do të vazhdojë të modernizojë forcën bërthamore, do të pozicionojë raketa të reja me precizitet më të lartë, me shpejtësi më të madhe në nisje, dhe me kapacitete të rritura për t’i tejkaluar mbrojtjet raketore.
Muajin e kaluar, lideri rus ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s, që lejimi i Ukrainës për të përdorur armë perëndimore me rreze të gjatë për të sulmuar thellë në Rusi, do të fuste NATO-n në luftë me shtetin e vet.
Ai e ka përforcuar mesazhin e tij duke e prezantuar një version të ri të doktrinës bërthamore që e konsideron sulmin konvencional ndaj Rusisë nga një shtet jobërthamor që mbështetet prej një force bërthamore, si sulm të përbashkët të të dyjave ndaj shtetit të vet – një paralajmërim i qartë për SHBA-në dhe aleatët e Kievit.
Putin, po ashtu, e ka përmendur që në doktrinën e re parashihet edhe përdorimi i armëve bërthamore në rast të një sulmi masiv.
Manovrat e së martës janë vazhdimësi e një serie të stërvitjeve tjera të forcave bërthamore të Rusisë.
Më herët gjatë vitit, ushtria ruse ka zhvilluar stërvitje të përbashkëta ushtarake me aleaten e Moskës, Bjellorusinë, në territorin e së cilës janë pozicionuar disa armë bërthamore taktike të Rusisë. /rel
Top Channel