Tarifat e Bashkimit Evropian, deri në 35.3 për qind në makinat elektrike të Kinës, do të hyjnë në fuqi të enjten, sipas një dokumenti të Komisionit Evropian të publikuar online.
Tarifat pritet të zbatohen për pesë vjet, përveç taksës standarde prej 10 për qind të Bashkimit Evropian në import të makinave.
Kompanitë kineze të prekura nga tarifat janë BYD, me 17 për qind taksë shtesë, Geely me 18.8 për qind dhe SAIC me 35.3 për qind, sipas Komisionit.
Ky hap i fundit pritet të publikohet në Gazën Zyrtare të bllokut evropian, të mërkurën.
Tensionet për eksportet kineze janë rritur në muajt e fundit, pasi Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë akuzuar Pekinin se po përkrah sektorët, sikurse ai i teknologjisë së gjelbër, me subvencione masive shtetërore.
Prodhuesit në Kinë që kanë bashkëpunuar në hetimet e BE-së, janë bërë subjekte të tarifës prej 20.8 për qind.
Prodhuesit e makinave që nuk kanë bashkëpunuar, janë goditur me tarifa deri në 35.3 për qind.
Komisioni Evropian i ka bërë të ditura tarifat shtesë në korrik, pasi në disa hetime është akuzuar Pekini për dhënie të subvencioneve shtetërore për prodhuesit e makinave elektrike, dhe në këtë mënyrë nuk është krijuar konkurrencë e denjë në tregun e Bashkimit Evropian.
Masat tregtare ndëshkuese vijnë pavarësisht kundërshtimeve të ashpra prej Gjermanisë, e cila shqetësohet se veprimet hakmarrëse mund të dëmtojnë industrinë e saj për prodhim makinash.
Prodhuesit gjermanë, përfshirë kompanitë si Volkswagen, BMW dhe Mercedes, i kanë kundërshtuar masat tregtare, pasi kanë investuar në tregun kinez dhe varen shumë prej shitjeve atje.
Brukseli dhe Pekini nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje, dhe tarifat janë në tavolinën negociuese, pavarësisht bisedimeve për kohë të gjatë.
Komisioni Evropian e ka përsëritur disa herë se rezultati i negociatave duhet të eliminojë ndikimin e subvencioneve të dëmshme.
Kina ka thënë se dëshiron të gjejë një zgjidhje përmes negociatave. /rel
Top Channel