Në një lëvizje mjaft të guximshme, duke marrë parasysh se si i ka shënjestruar Izraeli muajt e fundit krerët e tij dhe të Hamasit, duke ekzekutuar disa prej tyre, grupi militant libanez Hezbollah zgjodhi liderin e tij të ri.
Naim Qassem do të jetë pasuesi i udhëheqësit të vrarë, Hassan Nasrallah, njoftoi grupi i mbështetur nga Irani e i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Europian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
“Ne i betohemi Zotit dhe shpirtit të dëshmorit tonë më të lartë dhe më të çmuar, Sayyed Hassan Nasrallah, dëshmorëve, luftëtarëve të qëndresës islamike dhe popullit tonë të qëndrueshëm, të durueshëm dhe besnik, se do të punojmë së bashku për të arritur parimet dhe qëllimet e Hezbollahut dhe për ta mbajtur të ndezur flakën e rezistencës dhe flamurin e ngritur lart derisa ta arrijmë fitoren”, thuhet në deklaratën e Hezbollahut që kontrollon të gjithë Libanin jugor. Nasrallahu u vra nga bombardimet izraelite muajin e kaluar, ndërsa një javë më vonë u vra edhe Hashem Safieddine, njeriu që pritej të emërohej pasues i tij.
Qassem, i lindur në Bejrut në vitin 1953 në një familje me origjinë nga jugu pranë kufirit me Izraelin, ka qenë zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Hezbollahut që prej vitit 1991.
Pasi Nasrallahu u zhduk nga syri i publikut në vazhdën e luftës së Hezbollahut me Izraelin në vitin 2006, Qassemi mbeti figura më e dukshme e lartë e grupit dhe shpesh vepronte si zëdhënës i Hezbollahut.
Top Channel