Tentoi të dilte nga Shqipëria me pasaportën e një shtetasi që kishte ngjashmëri, arrestohet 41-vjeçari i kërkuar nga Interpol

28/10/2024 10:04

Një 41-vjeçar gjerman i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol, është vënë në pranga ditën e sotme në portin e Durrësit teksa tentonte të dilte nga vendi jonë

Si rezultat i kontrolleve nga Policia Kufitare dhe i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë, shtetasi M. W., 41 vjeç, banues në Gjermani.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata lokale e Lorrach, Gjermani, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë.

Pasaporta që paraqiti ky shtetas është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, bashkë me një pasaportë me gjeneralitet e tij, e dyshuar e falsifikuar, të cilën e kishte me vete.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët, do të kryejë procedurat për ekstradimin e 41-vjeçarit, në Gjermani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA