Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, ka propozuar një armëpushim dyditor në Gazë dhe këmbim të limituar të pengjeve, me qëllim të sigurimit të “një armëpushimi të plotë”, pas më shumë se një viti të luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Hamasi është grup palestinez që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Propozimi i bërë të dielën parasheh këmbimin e katër pengjeve izraelite që mbahen në Gazë, për të burgosur palestinezë në burgjet izraelite, dhe që më pas të zhvillohen negociata tjera në 10 ditët në vijim, ka thënë Sisi në një konferencë për media në Kajro.
Ai nuk ka treguar se plani u është prezantuar edhe zyrtarisht palëve të Izraelit apo Hamasit. Intervenimi i Sisit ka ardhur teksa Izraeli vazhdon të godasë territorin palestinez, si dhe lufton kundër Hezbollahut në Liban.
Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.
Izraeli, po ashtu, ka nisur të shtunën sulme ajrore kundër armikut të përbetuar, Iranit. Këto sulme, që janë kryer si shenjë hakmarrjeje për sulmin iranian me raketë balistike më herët gjatë muajit, kanë shqetësuar gjithë botën, andaj janë shtuar thirrjet për përmbajtje.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të takohet të hënën, me kërkesë të Iranit, teksa Teherani kërkon që kjo organizatë të dënojë sulmet izraelite që kanë lënë të vrarë katër ushtarë.
Liderët iranianë e kanë minimizuar rëndësinë e sulmeve, duke thënë se kanë shkaktuar dëm të kufizuar. Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, i ka thënë kabinetit të tij se Irani nuk dëshiron luftë, por do të nisë një “përgjigje të duhur”. Izraeli e ka kryer sulmin si hakmarrjeje për sulmin iranian të 1 tetorit, i cili është kryer si përgjigje për vrasjen e liderëve të Hamasit dhe një komandanti iranian.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se operacioni ka qenë “preciz dhe i fuqishëm dhe i ka përmbushur të gjitha objektivat”.
Netanyahu, duke folur në një ceremoni përkujtimi për viktimat e sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar, të kryer nga Hamasi, i cili më pas ka nxitur luftën, është ndërprerë nga bërtitmat e familjarëve të viktimave. Ai është nën presion që të arrijë një marrëveshje që garanton lirimin e pengjeve prej Gazës.
Si pasojë e sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit, janë vrarë mbi 1.200 njerëz dhe janë marrë peng mbi 240 persona. Disa janë liruar, një pjesë konsiderohet se kanë vdekur. Nga ofensiva izraelite në Gazë janë vrarë mbi 42.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze./REL
Top Channel